Nisma qytetare “Të palëkundurit” sot do të protestojë në Shkup. Marshi i qetë në të cilin po thirrin do të fillojë nga Kisha kryesore në Shkup. Çfarë mbështetje do të kenë, këtë do e mësojmë për një orë, por nëse si masë merret interesimi në rrjetin social Fejsbuk, duket se do kenë mbështetje të madhe.

Ata kërkojnë falje për personat e gjykuar dhe të arrestuar për hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill, gjë të cilën e bënë disa herë. Gjë e re është kundërshtimi i tyre për ndryshimet në ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe kundër pretendimit për vendosjen e emigrantëve në Maqedoni.

Nëse kërkesa e “Të palëkundurve” për falje ka ndonjë efekt te kompetentët, Alsat M tentoi të marrë përgjigje nga kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov. Pyetëm nëse kryetari i shtetit ka ndërtuar qëndrim rreth kësaj çështje, por nuk morëm përgjigje.

Marshi protestues i “Të palëkundurve” vjen dy muaj e gjysmë pasi Prokuroria e krimit të organizuar hapi procedurë parahetimore për hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill. Paraprakisht rastin e kishte në dorë prokuroria e Shkupit e cila dënoi vetëm 9 persona me kusht edhe atë për pjesëmarrje në turmë e cila do pengonte personin zyrtarë të bëjë detyrën e vet. Procedurën që tani e zhvillon Prokuroria e kriminalitetit të organizuar, me siguri është pjesa më e rëndësishme e rastit. Në te, mes tjerash gjenden edhe pamjet filmike ku shihen deputetët e VMRO-DPMNE-së duke i hapur dyert e Kuvendit për të lejuar hyrjen e demonstruesve. Nga Prokuroria sot nuk munden të përgjigjen, deri ku është lënda dhe nëse hetimi do hyjë në fazë të re. Më shumë hollësi për këtë na paralajmëruan për ditën e hënë.