Nga Mero Baze

Investigimi i nisur në SHBA ndaj kompanisë “OSI system”, e cila është fituese e koncesionit të skanimit të kontenierëve në pikat doganore të Shqipërisë, tregon diferencën që ekziston mes fatit të një qytetari amerikan që investon aksionet e tij në një kompani në bursë dhe taksave të një qytetari shqiptar.

Bëhet fjalë për të njëjtën kompani dhe të njëjtën histori korrupsioni që lidhet me “Rapiscan”, ose “OSI System”, e cila ka fituar një kontratë 250 milionë dollarë në Shqipëri. Ajo po hetohet se dyshohet që 122 milion dollarë janë paguar rryshfet për zyrtarë të qeverisë Berisha. Investigatorët thonë se kemi prova dhe fakte të pakundërshtueshme për këtë ryshfet gjigand, por argumenti publik është që 49 për qind e kompanisë, disa muaj pasi filloi punë, u shit për 5 dollarë tek një partner shqiptar. Pyetja logjike që shtrojnë investiguesit në SHBA të kësaj çështjeje është kjo: Nëse 49 pëqind e kompanisë vlen 5 dollarë, atëhere kreditorët e kompanisë, që janë qytetarë amerikanë janë mashtruar kur u është thënë se kompania kishte fituar një kontratë 250 milionë dollarë. Shpjegimi që japin ata është se kjo është pagesa prej 122 milion dollarë, që janë dhënë për njerëzit e Berishës dhe familjarët e tij.

Por i kundërt është reflektimi i palës shqiptare

Vetë Berisha ka nxjerrë një zëdhënëse që thotë broçkulla në stilin e Berishës, që kur t’i e akuzon se ka vjedhur mollë, ai të tregon “fakte”, që s’ka marrë asnjë dardhë. Ndërkohë prokuroria e cila duhet të nisë hetimin kryesisht për shkak të nisjes në hetimit në SHBA dhe bërjes publike në televizionin më prestigjioz të botës për çështje ekonomike “Blomberg”, as që ka ndërmend ta nisë këtë punë.

Rasti tregon dy standardet që ekzistojnë për qytetarët shqiptarë dhe ata amerikanë përballë të njëjtës histori korrupsioni.

Qytetarët amerikanë që mund të jenë mashtruar në këtë histori, dhe që u është marrë 122 milionë dollarë ryshfet nga njerëzit e Berishës, ndjehen të përfaqësuar në kërkimin e së drejtës së tyre. Ndaj kompanisë ka nisur një investigim zyrtar dhe po hetohet çfarë ka ndodhur me kontratën, ndërsa kreditorët presin të qetësohen lidhur me përgjëgjësitë e këtij skandali. Në Shqipëri taksapaguesit shqiptarë, të cilët kanë ushqyer me kontributet e tyre një histori të fortë korrupsioni, që shkon 122 milionë dollarë në një dorë, nuk kanë asnjë mundësi të hetohet kjo histori dhe t’i shkohet përgjegjësisë deri në fund, vetëm se shfaqet Sali Berisha.

Është e njëjtë si një nga historitë e famshme të korrupsionit të kohës Berishës me trafikun e fishekëve kinezë, nga Rinasi në Afganistan. Diveroli, i riu amerikan që u lidh me Shkëlzen Berishën dhe Kosta Trebickën për të çuar fishekë kinez të marrë në Shqipëri për ushtrinë amerikane në Afganistan, u gjet në shkelje, u hetua dhe u dënua katër vjet burg, për atë që kishte bërë në Shqipëri. Historia e tij u bë film në Hollivud u bë libër shumë i shitur në SHBA dhe ai vetë së fundmi doli dhe nga burgu. Në Shqipëri Kosta Trebicka u dërgua për “gjah” dhe u vra në vend të trumcakut, duke e mbyllur hetimin si vetëvrasje, kurse Shkëlzen Berisha, i identifikuar si “sypeshkaqeni”, as që u thirr ndonjëherë në prokurori.

Kjo provon faktin, se korrupsionin nuk e shmang dot as në Shqipëri, as në SHBA, por ama në SHBA, e heton, e gjykon dhe e ndëshkon, ndërsa në Shqipëri vetëm e shijon, nëse bëhet fjalë për njerëz të familjes Berisha.

Të dyja pamjet tregojnë dy standarde të ndryshme dhe se sa të garantuar ndjehen qytetarët amerikanë nga drejtësia dhe hetimi që i shkon deri në fund një çështjeje dhe sa të papërfillur ndjehen qytetarët shqiptarë për të njëjtën çështje, vetëm se aty shfaqet emri i një Berishe.