Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka kritikuar BDI-në për shpenzimet që ka bërë kjo parti gjatë shënimit të 20 vjetorit të themelimit të saj. Gjatë një interviste, Dimitrievski ka thënë se paratë e shpenzuara për festë, më mirë do të ishte të destinoheshin për ndërtimin e shkollës së re “Sami Frashëri” në Kumanovë, për të cilën, sipas tij, BDI-ja angazhohet vetëm deklarativisht.

“BDI është një parti politike që është në pushtet për më shumë se 20 vjet, parti në radhët e së cilës, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për asnjë veprim. Pavarësisht nga spekulimet në opinion lidhur me shpenzimet e festës, do të ishte shumë më mirë që të njëjtat mjete si parti t’i destinonin si donacion për Kumanovën, për ndërtimin e shkollës së re “Sami Frashëri”, në vend që të angazhohen vetëm në mënyrë deklarative për ndërtimin e kësaj shkolle të mesme e cila përballet me problemet më të mëdha në komunën tonë. Është një projekt për të cilin flasim me dekada, dhe ata kanë 20 vite në pushtet dhe nuk kanë arritur, të paktën deri më tani, të angazhohen për të zgjidhur këtë problem dhe për siguruar investime kapitale”, ka thënë Dimitrievski.