Rritja e çmimeve në tregun vendor si dhe inflacioni, kanë shkaktuar reagimin e shumë bizneseve prodhuese dhe jo vetëm, lidhur me kontinuitetin e tyre ekonomiko-biznesor.

“Shteti duhet menjëherë të marrë masa për të ndërhyrë në një përshkallëzim të mundshëm të situatës që mund të ndodhë dimrin e ardhshëm”, apeluan nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, ku kërkuan kursime, veçanërisht të energjisë elektrike nga shteti, qytetarët dhe kompanitë.

Ndërkohë Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se inflacioni në muajin maj arriti në 11.9 për qind dhe qeveria njoftoi vendimin për ndërhyrje të mundshme në çmim deri në fund të javës.

Me buxhetin suplementar priten masa të reja në mbështetje të kategorive më të prekura të qytetarëve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, paralajmëroi se aktiviteti ekonomik mund të preket rëndë dhe se kompanitë mund të mbyllen dhe vendet e punës mund të shkurtohen.

Sipas tij, shteti ka për qëllim shpëtimin e qytetarëve, por nëse nuk kuptohet se duhet edhe përkrahja e kompanive dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë, siç tha ai, do të ketë probleme serioze.

“Aktiviteti ekonomik duhet të ruhet sepse pa këtë me mbylljen e kapaciteteve do të krijojmë një hendek më i madh i cili në një pasiguri të tillë të afërt mund të ketë pasoja katastrofike. Shteti duhet të heqë dorë menjëherë nga disa mallra dhe të mos mendojë për alternativa tjera, përveç përvjeljes së mëngëve dhe zgjidhjes së problemit”, tha Azeski.

Ai tha se duhet të ruhen të gjitha mekanizmat dhe të përdoren për të përballuar situatën, gjegjësisht, siç tha ai, për të mbajtur nën kontroll situatën që mund të përshkallëzohet me ardhjen e dimrit.

Veçanërisht problematike, sipas tij, mund të jetë rritja e çmimit të energjisë elektrike që ndikon në punën e kompanive.

“Kemi propozime të përcaktuara, kërkojmë uljen e konsumit menjëherë me akte të drejtpërdrejta të shtetit sepse tek ne asgjë nuk mund të reduktohet. Shteti duhet të gjejë një mekanizëm që të ulë konsumin nga 10 deri në 20 për qind dhe të rrisë nivelin e prodhimit të energjisë elektrike me 20 për qind. Në atë mënyrë do të krijohej një mundësi për njëfarë rregullimi të çmimit të rrymës që u shpërndahet kompanive”, tha Azeski.

Ai gjithashtu theksoi se ka indikacione serioze për lëvizje të pazakonta në kompanitë në fushën e transaksioneve, veçanërisht në ato që merren me tregti dhe se mund të ketë presione inflacioniste nga kjo anë.

Prandaj, vlerëson Azeski, nevojiten kontrolle që do të jenë në atë drejtim për të bërë përpjekje për të parandaluar disa procese që mund të ndikojnë në ekonominë e përgjithshme.