Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në NATO do ta përforcojë stabilitetin e tërë Ballkanit, ndërkaq ky është interes i përbashkët edhe i Maqedonisë, edhe i Ballkanit, edhe i Evropës dhe SHBA-së, theksoi shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimtirov gjatë takimit të djeshëm në Uashington të këshilltarit për siguri nacionale të presidentit të SHBA-së, Herbert Rejmond Mekmaster me ministrat e jashtëm të vendeve nga Ballkani Perëndimor, përcjell Fol.

Siç kumtoi Minsitria e Punëve të Jashtme, në takimin e përbashkët të shefave të diplomacive nga rajoni me Mekmaster u bisedua për bashkëpunimin rajonal, sfidat e sigurisë dhe të ardhmen euroatlantike të Ballkanit. Dimitrov në ditën e fundit të vizitës së punës në Uashington, u takua edhe me kongresistin amerikan, Brendan Bojl dhe me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Medllin Ollbrajt. Në takimin me Bojl, i cili është bashkëkryesues i Grupit për miqësi me Maqedoninë në Kongresin e SHBA-së, Dimitrov kërkoi mbështetje nga Kongresi amerikan për realizimin e qëllimeve strategjike të vendit. Vizitën në SHBA, Dimotrov e rrumbullakësoi me takimin me Ollbrajt, ku u bisedua për gjendjet aktuale në Maqedoni dhe rajon, për takimet të cilat i realizoi në suaza të vizitës së punës në Uashington, si dhe për ngjarjet globale politike. /Fol/