Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov në Helsinki të Finlandës takoi homologët e tij nga vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate për anëtarësim. Ai kërkoi prej tyre datë për fillimin e negociatave në tetor duke thënë që nuk duhet të tolerohet që vendi të jetë dëm anësor për diçka që nuk është në dorën e tij, duke ju referuar skepticizmit për zgjerim. Dimitrov foli edhe për rastin “Reket” dhe arrestimin e Katica Janevës duke thënë që është radha e institucioneve të bëjnë punën e tyre. I pyetur nga mediat, Dimitrov pranoi se Franca akoma nuk ka shprehur qartë vendimin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

Nuk mendoj se duhet të flasim për zgjerim. Duhet të flasim për kompletim. Rajoni është i rrethuar me vende anëtare. Pas disa vitesh, pasi të jemi gati dhe të jemi pjesë e BE-së, harta e Evropës do të mbetet e njejtë dhe nuk do të zgjerohet. Nëse e bëjmë këtë siç duhet, të gjithë do të përfitojmë prej saj, si vendet anëtare ashtu edhe vendet kandidate. Atë për të cilën lufton presidenti Makron brenda BE-së, ne e bëjmë brenda rajonit, luftojmë për vlerat e njëjta- deklaroi Nikolla Dimitrov.