Propozimi i kryeministrit Zoran Zaev që Nina Angellovska të jetë ministre e Financave ka nxitur debat të ashpër mes deputetëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Deputetja e opozitës maqedonase, Ana Llashkoska ka akuzuar kryeministrin Zoran Zaev se Angellovska emërohet si ministre vetëm që të jetë përgjegjëse e politikave të dështuara ekonomike të Zoran Zaevit.

Sot kryeministri Zaev ka vendosur që ta emërojë Nina Angellovskën ministre të Financave që një ditë të ketë se kush të mbajë përgjegjësi për përfundimin e mandatit të kësaj qeverie në mënyrë katastrofike. Buxheti për momentin është në gjendje të tmerrshme, përfitimi i kompanive çdo ditë bie dhe dëshmi për këtë edhe ulja e pagesë së tatimit të fitimit- deklaroi Ane Llashkovska, deputete e LSDM-së.

Në kundërpërgjigje ndaj deputetes Llashkoskas, kryeministri Zaev tha se në fund të mandatit ministrja e re e financave do të jetë krenare, pasi gjatë qeverisjes së LSDM-së ekonomia në vend vazhdimisht shënon rritje.

Para një muaji e gjysmë kritikuat pse unë e marr përgjegjësinë e financave kurse tani, pse vendos dikë tjetër që ta marrë përgjegjësinë. Komplet rriten të gjithë parametrat. Nga java e ardhshme do të kemi rishikimin e buxhetit ku kemi realizim maksimal të buxhetit pothuajse nga të gjitha aspektet. Të gjithë politikat ekonomike konfirmojnë uljen e papunësisë me përqindje të lartë, rritje të Bruto Prodhimit Vendor dhe rritje e investimeve- tha Zoran Zaev.

Pushteti dhe opozita u përplasën edhe për rastin reket. Nga VMRO-DPMNE akuzuan kryeministrin se ka tentuar ta fsheh rastin. Ndërsa Zaev u kundërpërgjigj se VMRO është ajo që ka fshehur reketët në kohën e saj, përkundër qeverisjes së tanishme, ku vetë kryeministri e paraqiti rastin në Prokurori. Për shkak të debatit mes LSDM-së dhe VMRO-së, ministrja e re e Financave Nina Angellovska dhe ministri pa resor për përmirësimin e klimës ekonomike, Hisen Xhemaili do të votohen nesër.