Zhvillimet aktuale nuk janë në përputhje me parimet e demokracisë dhe rrënojnë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të demokracisë vlerëson ambasadori i Britanisë Çarlls Geret. I pranishëm në prezantimin e analizës së asociacionit qytetar Most për punën e kuvendit, Geret deklaroi se puna e kuvendit nuk është transparente dhe shpesh anashkalohet mendimi i ekspertëve.

“Parlamenti shtrihet në zemrën e demokracisë së Maqedonisë. Zhvillimet aktuale në Parlamentin e Maqedonisë nuk i shërbejnë zhvillimit të demokracisë por rrënojnë kredibilitetin e institucioneve brenda Maqedonisë dhe jashtë vendit. Demokracia nuk ndodh brenda natës. Konsultimi me ekspertët, votuesit është thelbësor për krijimin e ligjeve të mirëfillta. Si mund të ketë  konuslltime nëse ekspertëve, votuesve dhe të tjerëve nuk u jepen  informacionet e duhura”, deklaroi Çarlls Garet, ambasador i Britanisë së Madhe.

Nga vëzhgimi i punës së Kuvendit gjatë vitit 2016 asociacioni qytetar Most ka konstatuar se qeveria është propozuesi më i madh i ligjeve dhe shumica e tyre janë votuar me procedurë të përshpejtuar. Sipas vëzhgimit të Most brenda një dite në muajin shkurt të vitit të kaluar kuvendi ka miratuar 40 ligje që bie një ligj në çdo 11 minuta, kurse brenda një ditë në mars po të njëjtit vit janë miratuar 36 ligje.

“91 procedura ligjvënëse ose 27 nga numri i përgjithshëm janë ndryshime ligjore që janë miratuar në vitin 2016. Si për shembull  ligji për ndërtim është ndryshuar 3 herë në një periudhë prej 10 ditëve, nga 54 ligje që janë në përputhje me Bashkimin Evropian janë miratuar vetëm pesë. Fakti që vetëm 7% nga numri i përgjithshëm i ligjeve të miratuara janë propozuar nga deputetët dhe atë të ekskluzivisht nga shumica në pushtet, përveç ligjeve të dala nga marrëveshja e Përzhinës  tregon se kuvendi i ka shërbyer pushtetit ekzekutiv respektivisht qeveria në mënyrë indirekte e ka kryer edhe funksionin  ligjvënës”, tha Darko Aleksov, Most.

Nga vëzhgimi i deritanishëm është vërtetuar gjithashtu se në debatin gjatë miratimit të ligjeve nuk përfshihen palët e prekura sikurse akademikët, ekspertët dhe shoqëria civile. Puna e kuvendit të Maqedonisë  nga Most do të vëzhgohet deri në vitin 2018.