Në Manastir sot festohet 22 Nëntori, dita e Alfabetit shqip ndërkohë që 36 shkronjat e arta të këtij alfabeti nuk i mësuan kurrë këta nxënës të fshatit Banjicë të komunës Çashkë të Velesit.

Edhe në këtë përvjetor të 109, e drejta e tyre për tu arsimuar në gjuhën amtare u është mohuar dhe nënësit vazhdojnë të shkollohen në gjuhën maqedonase, në shkollën fillore “Todor Janev” të Çashkës.

Kritika për trajtimin joadekuatë të gjuhës shqipe japin edhe veteranët e arsimit të cilët thonë se mësimdhënësit e tanishëm bashkë me nxënësit dhe studentët nuk angazhohen mjaftueshëm për atë që kanë bërë përpiluesit e Alfabetit shqip.

“Mua më kujtohet në ato vitet e para të punësimit tim, kishte më shumë dëshirë për punë, kishte më shumë dëshirë për punë edhe nga ana e nxënësve, sot sikur pak kemi stagnuar, sikur kemi mbetur në vend, në vend se të shkojmë më përpara kemi mbetur pak më mbrapa. Megjithatë, ndonjëherë them se nxënësi vepron, nxënësit, studentët veprojnë ashtu si gjejnë, besoj se faji më i madh është i arsimtarëve, i profesorëve sepse ne duhet të bëjmë gjithçka që këto gjeneratat e reja ti nxitim sa më shumë të punojnë se e vetmja gjë, vetëm nëpërmjet arsimimit ne mund të shkojmë përpara”, u shpreh Qamile Saiti, ish mësuese.

Ish mësuesi Ruzhdi Ahmeti përkujton vitet kur ka kontribuar në Maqedoni dhe Kosovë për mësimin e Alfabetit shqip. Ai thotë se vitet e fundit është humbur plotësisht interesi për studimin dhe zhvillimi e sajë.

“Alfabeti i gjuhës shqipe ka një rëndësi shumë të madhe, pa alfabet as nuk mësohet, as nuk përparohet e as nuk doktorohet. Dikur nuk ka pas mësues që nuk merrte me vete gazetë, tash po i shohim vetëm me telefona dhe askush nuk e merr librin, kjo është një dobësi e madhe. Duhet të lexohet, me pa populli si punohet, si përparohet, një popull i vjetër me tradita kombëtare. I apeloj të gjithë mësuesve dhe arsimtarëve që sa më tepër ti japin rëndësi alfabetit, gjuhës shqipe se gjuha shqipe është gjuha jonë”, u shpreh Ruzhdi Ahmeti, ish mësues.

Sipas ish mësuesit Maksut Dehari, jo trajtimi i mirë i gjuhës shqipe ka sjell edhe problemet e shumta me tekstet shkollore dhe mungesën e librave për nxënësit shqiptar.

“Është për keqardhje, kemi libra që keqpërdoren si në muzikë, si në histori po edhe gjuha shqipe po edhe gjitha lëndët tjera, Duhet të merën masa, ne duhet të organizohemi që të bëjmë diçka për të mirën e nxënësve tanë. Nxënësit tonë janë të diskriminuar.. Si mundet pala tjetër, më një shtator ti kenë librat në dorë anxënësit tanë vjen viti i ri akoma nuk kanë libra me çka të mësojnë”, deklaroi Maksut Dehari, ish mësues.