Komisioni për sëmundje ngjitëse sot duhet të mbajë mbledhje në të cilën do të rishikohen hapat e rradhës në lidhje me restriksionet. Edhe sot qytetarët e të gjitha komunave në qytetin e Shkupit, komunat në rrethinën e Shkupit – Haraçina, Zelenikova, Ilindeni, Petroveci dhe Studeniçani, në Kumanovë, Tetovë, si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunovcë do të jenë në karantinë. Ndalesa për lëvizje përfundon nesër në orën 5 të mëngjesit.

Sot vërehet lëvizshëmri më e vogël, në krahasim me ditën e djeshme dhe një ditë më parë gjatë kohës së orës policore, të paktën në disa nga rrugët kryesore dhe bulevaret në Shkup.

“Ndonjë automjet i policisë dhe disa vetura vërehen sot në qendër të Shkupit. Pikërisht sot përfundon ora policore 80-orëshe, ndërsa Komisioni për sëmundje ngjitëse do të vendosë me çfarë restriksione do të vazhdojmë prej nesër.”

Mbetet të shohim nëse Komisioni për sëmundje ngjitëse do t’i propozojë qeverisë restriksione të reja ose do të ketë lehtësim shtesë të masave, duke pasur parasysh numrin në rritje të rasteve pozitive me Covid-19.

Përndryshe nga Ministria e punëve të brendshme informuan se në 24 orët që kaluan në territorin e gjithë shtetit janë evidentuar shkelje të ndalesës për lëvizje nga ana e 154 personave, ndërsa janë arrestuar 130 persona. Për masën mosmbajtje e mbrojtjes personale janë regjistruar 386 shkelje./KlanMacedonia