Dy ditë jo pune për Pashkët, të ngjitura me dy ditë të fundjavës, ishin mundësi e mirë për qytetarët e vendit që të shkojnë në pushime diku jashtë vendit. Natyrisht, nëse kanë mundësi ekonomike. E në fakt, mundësi të tilla duket se nuk kanë shumica e qytetarëve të vendit. Qytetarët e intervistuar nga Televizioni Shenja, të pyetur nëse i kanë shfrytëzuar këto ditë, për të shkuar diku për pushime, ata thonë që këto ditë ata i kanë kaluar në shtëpi, në ambientin familjar.

“Për fundjavë isha këtu në Shkup…Nuk doja të shkoj diku tjetër, sepse këtu ndjehem më mirë”, deklaroi një qytetare.

“Askund, në shtëpi ishim, sepse nuk ishim mirë me shëndet, për këtë nuk shkuam askund”, tha një qytetare tjetër.

Arsyet që qytetarët kanë qëndruar në shtëpi gjatë festave dhe nuk kanë shkuar diku për të festuar janë nga më të ndryshmet, por ajo më kryesorja është çështja e të hollave, sepse siç  thonë edhe ata për të shkuar diku nevojiten të holla dhe këtë luks nuk e kanë.

“Për fundjavë isha këtu në Shkup…për festa ishim në ambient familjar…kush sa ka para shëtitet dhe shkon ku të dojë”, tha një qytetar.

Por, edhe pse të pakët, ka prej tyre që kanë qenë nëpër qytete tjera dhe e kanë shfrytëzuar këto ditë për relaksim.

Qytetarët më tej thonë se kjo rutinë i përcjell tash e sa vite, kështu ata detyrohen që zakonisht gjatë festave të qëndrojnë në shtëpi.

/SHENJA/

AlbPor