Si disa nga arsyet që shkaktuan incidentin në organin ligjvënës, theksohen një sërë lëshimesh në aktet ligjore në bazë të të cilave vepron sigurimi i kuvendit. Pas incidentit të javës së kaluar, kur pjesëtari i sigurimit të parlamentit nuk iu përgjigj thirrjes së kryetarit Talat Xhaferit për ta larguar nga foltorja parlamentare deputetin Vlladimir Gjorçev, kontrolli i brendshëm i MPB-së vendosi të bëjë ndryshime në procedurat operative.

“Është konstatuar se në aktet ligjore dhe nënligjore ekzistojnë lëshime të mëdha rreth procedurës dhe marrjes së masave ndaj deputetëve nga ana e zyrtarëve policorë që e sigurojnë kuvendin, në rastet kur cenohet rendi dhe qetësia në seancë. Prandaj, nga Sektori për mbrojtjen e personave dhe objekteve të caktuara pranë MPB-së në bashkëpunim me shërbimet parlamentare, është iniciuar procedurë për sjelljen e procedurave standarde operative për të vepruar në raste të këtilla”, thonë nga nga MPB.

Se një pjesë e policëve nga Sektori për mbrojtjen e personave dhe objekteve të caktuara nuk ndërmorën asgjë kur më 27 prill turma hyri dhunshëm në Kuvend, kjo u konstatua edhe nw raportin e grupit të ekspertëve të formuar nga ish ministri i brendshëm Agim Nuhiu. Ish-kryeshefi në MPB, Lubomir Gjurçevski gjithashtu thekson se nevojitet harmonizim i akteve me të cilat rregulloren detyrimet e zyrtarëve policorë. Sipas tij, periudha e mospërputhjes së Ligjit për policinë nga viti 2007 me Rregulloren e sjellë në vitin 2011 është periudhë tejet e gjatë.

“Askush nuk dëshironte t’i shohë problemet e veprimit policor me ç’rast në vitin 2012, policia u keqpërdor nga kryetari i atëhershëm i kuvendit kur miratohej buxheti dhe kur deputetët dhe gazetarët u nxorën jashtë me dhunë. Atëherë patëm tejkalim klasik të autorizimeve. Në atë kohë, dikush është dashur që t’i shohë aktet normative”, u shpreh për TV21, Ljubomir Gjurçevski, ish-kryeshef në MPB.

Në lidhje me incidentin me deputetin e OBRM-PDUKM-së Gjorçev, nga ministria e brendshme thonë se kundër zyrtarit policor nuk do të ngritet masë disiplinore meqë Sektori i kontrollit të brendshëm ka konstatuar se ai ka vepruar sipas rregullave dhe Rregullores së rendit të brendshëm të Parlamentit./Telegrafi/