Në mesin e 13 milionë dokumenteve të publikuara së fundmi nga CIA, ka edhe shumë dokumente që lidhen me Kosovën dhe shqiptarët qysh prej viteve ’40 e deri në vitet ’90.

Në një të tillë, agjentja e CIA, Willson, emri i së cilës nuk bëhet publik në dokumentet e publikuara, bëhet një vlerësim për pikat më të forta dhe më të dobëta të ushtrisë serbe dhe UÇK-së.

“Disa furnizime me armë janë duke ardhur, por ata kanë pak armatim. Për të mbajtur UÇK-në në arrati, serbët duhet që patjetër të vazhdojnë me pushtimin e tyre. Për të shkatërruar UÇK-në serbët duhet të arrijnë në male, për të cilën ata kanë mungesa të fuqisë punëtore të trajnuar”, thuhet në raportin e klasifikuar të CIA.

Sfida e UÇK-së sipas këtij raporti atë kohë ishte përmirësimi i artilerisë ushtarake, riorganizimi, forcimi i strukturave të komandës dhe armatimi më modern.

“Në këtë pikë, Millosheviqi mendon së do të shkatërrojë UÇK-në, por ai është gabim. Struktura komanduese e UÇK-së është e pa preku. Është në pritje të largimit të ushtrisë serbe. Aksionet ndëshkuese kanë elektrizuar popullatën shqiptare.  Përgjatë verës ushtarët janë zhdukur, janë rreth 5 deri në 8 mijë ushtarë të UCK-së në male”, shkruhet në raportin e CIA.

Në këtë raport, potencohet edhe një fakt tjetër interesant për luftën. Agjentja e CIA raporton sesi ushtria serbe është duke menduar se po fiton në terren por ushtarët e UÇK-së janë zhvendosur nëpër male.

“Forcat serbe për momentin janë duke operuar në veri të maleve te Qyqavicës dhe në Mitrovicë, ka trupa të reja në rajonin  e Ferizajit, ku pritet një aksion së shpejti. Gjithashtu është raportuar edhe për aktivitete në ditët e kaluara në Suharekë”, thuhet në raportin e klasifikuar deri vonë si “Top sekret” nga CIA.

Willson shkruante se atë kohë “morali i UÇK-së, mbetej i fortë”, por duhej ndihmë nga jashtë. Kjo ndihmë erdhi në vitin 1999 kur NATO filloi bombardimet në Serbi dhe Kosovë./Insajderi.com