Pandemia globale e COVID-19 tronditi botën dhe kriza shëndetësore u përhap në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Mijëra kompani humbën tregjet dhe klientët e tyreç u përballën me humbje të mëdha dhe një përqindje e konsiderueshme e tyre pushuan së funksionuari. Përshtatja në “normalen e re”, ridrejtimi i resurseve dhe zgjerimi i fushës së veprimit në kushte të tilla të vështira janë domosdoshmëri për të mbijetuar dhe për të vazhduar më tej. Shumë prej tyre kanë një vizion, por gjithashtu kanë nevojë për mbështetje dhe udhëzim. Për këtë qëllim, më 28 korrik, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore – OEMVP në kuadër të Projektit të USAID-it për zhvillimin e ekosistemit të biznesit, realizoi Panairin e parë Virtual Rajonal me pjesëmarrjen e mbi 60 ndërmarrjeve nga rajoni dhe Europa Perëndimore. Për qëllimet dhe pritshmëritë e kompanive dhe vetë Odës, sot flasim me Drilon Isenin, Drejtor Ekzekutiv i OEMVP.

Z. Iseni, para ca kohësh u realizua Panairi i parë Rajonal Virtual. Cili ishte interesi i kompanive?
Pandemia globale e shkaktuar nga COVID-19 ndryshoi mënyrën se si zhvillohet çdo proces shoqëror, ekonomik dhe madje politik. Me kalimin e kohës, kriza ekonomike preku të gjitha vendet në botë, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i detyruar ato të gjejnë zgjidhje për këtë problem dhe duke e transformuar perspektivën tradicionale të të bërit biznes.
Themelimi i Odës Ekonomike të Maqedonisë-Veriperëndimore – OEMVP erdhi si rezultat i shumë problemeve të pazgjidhura të komunitetit të biznesit dhe nevojës për të eleminuar dhe gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht, në vend dhe më gjerë. Dhe pikërisht në këtë situatë krize të krijuar nga COVID-19, OEMVP përmes Projektit të USAID-it për zhvillimin e ekosistemit të biznesit, me një ide origjinale dhe unike realizoi me sukses Panairin e parë Virtual Rajonal me pjesëmarrjen e mbi 60 ndërmarrjeve nga rajoni dhe Europa Perëndimore.

Cili ishte qëllimi i panairit?
Nisur nga rënia drastike e performancës së kompanive nga rajoni në këtë periudhë, ne vlerësuam se është koha për t’u zgjeruar në tregjet e huaja, dhe pikërisht ky ishte qëllimi i panairit virtual, i cili do t’u mundësojë kompanive që kanë prirje të zgjerohen, të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre dhe kështu potencialisht të realizojnë partneritet dhe bashkëpunim me kompani të tjera nga vendet që morën pjesë në këtë ngjarje.
Kur bëhet fjalë për transformimin, OEMVP është një pionier i provuar në të gjitha vitet e saj të ekzistencës, dhe nën udhëheqjen tonë ne kemi arritur t’i bindim bizneset në rajon se është një kohë ideale, në rrethana që na detyrojnë të përshtatemi me realitetin e ri, të dixhitalizohemi, duke filluar me Panairin Virtual Rajonal, i cili u realizua përmes platformës dixhitale ZOOM. Panairi në parim synoi sektorët që janë prioritet për projektin e USAID-it që ne po udhëheqim. Në të morën pjesë kompani nga fusha të ndryshme, ku mbizotëruan industria ushqimore, ndërtimtaria, TIK, industria krijuese etj. Vlen të përmendet fakti se në mesin e kompanive ishin shpërndarësit më të mëdhenj në industrinë e ushqimit, të cilët janë udhëheqës në rajon.