“Tashmë tre ditë nuk ka të infektuar të rinj në Dibër. Numri mbetet 49, dy prej tyre janë nga Komuna e Qendrës Zhupë. Nga numri i përgjithshëm i të infektuarve, 14 janë shëruar, ndërsa katër kanë ndërruar jetë. Në kurim shtëpiak janë 13 persona, ndërsa 73 janë në vetizolim, që është për 15 më pak se dita e djeshme”.

Këtë e tha në konferencën e sotme kryetari i Komunës së Dibrës Hekuran Duka. Megjithatë, ai tha se epidemia nuk është tejkaluar dhe ju bëri apel qytetarëve që edhe më tej t’i respektojnë masat dhe rekomandimet, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Posaçërisht i lus ata që tashmë janë me coronavirus të mos dalin nga shtëpitë e tyre. Si Shtab Operativ kemi njohuri se disa prej tyre lëvizin nëpër qytet, ndërsa janë parë edhe nëpër markete. Ata kontrollohen nga policia, por e shfrytëzojnë hapësirën e vakumit nga njëra kontroll në tjetrën, dhe dalin nga shtëpitë”, tha Duka.

Ai shtoi se gjendja e sigurisë në Dibër është stabile dhe nuk është vërejtur mosrespektim i masave për kufizim të lëvizjes.

Duka tha se problem është mësimi online, me çka ju bëri thirrje operatorëve që të jenë më solidarë dhe ta rrisin internetin për klientët e tyre.