Mbërrin në portin e Durrësit më në fund, trageti nga Ankona! Merr fund ankthi dhe frika e 800 pasagjerëve që ishin nisur me këtë traget, por që kishte pësuar defekt në nisje.

Trageti qe nisur me vonesë më 28 korrik nga Ankona, në orën 21:33 min ( kur duhej të nisej në orën 19:00 ) dhe ka mbërritur të dielën në brigjet shqiptare me 18 orë vonesë, pasi pësoi në nisje defekt në njërin nga dy motorët dhe u desh të lundronte me gjysmën e shpejtësisë.

Kompania që e administron ka anulluar ndërkohë lundrimet e prenotuara më datë 29 dhe 30 korrik.

Pasagjerët që vinin nga Ankona, kryesisht familje emigrante shqiptare që vinin në atdhe për pushime, janë tronditur gjatë kohës së udhëtimit dhe kanë përjetuar ankth dhe panik.

Trageti Bridge i kompanise Adriaferries ka një kapacitet prej 850 pasagjerës dhe 400 makinash. Ka 96 kabina dhe 282 shtretër , dy bare dhe restorant me vetëshërbim për 150 persona.

Ai është i gjatë 142 m dhe ka tonazh prej 16 600 tonësh. Lundron me një shpejtësi prej 16.5 nyjesh.