Dhuna në familje vazhdon të jetë pjesë e pandarë në rajonin e Tetovës. Në raportin e fundit të policisë së Tetovës bëhet e ditur për dy raste të reja të dhunës.
Rasti i parë është denoncuar nga 30 vjeçarja me iniciale L.A nga fshati Jazhincë, e cila të hënën ka denoncuar dhunë fizike familjare nga burri i saj 37-vjeçari me iniciale J.A, i cili rreth orës 7.30 minuta ka hyrë në dhomë dhe e ka ofenduar rëndë, ndërsa më pas e ka rrahur përpara dy fëmijëve të mitur duke e goditur me grushte dhe shkelma në kokë dhe trup dhe ka kërkuar nga ajo që menjëherë ta lëshojë shtëpinë.

“Në ofendimin e L.A-së janë kyçur edhe pjesëtarët tjerë të familjes, ndërsa më pas burri me inicialet J.A e ka futur në veturë dhe gjatë rrugës ka vazhduar që ta godas dhe e ka dërguar tek nëna e sajë në fshatin Nerasht.

Sipas rrëfimit të saj, burri të cilin e ka denoncuar dhe i cili në ndërkohë është arrestuar, edhe në të kaluarën e ka dhunuar psikikisht dhe fizikisht. Po ndërmerren masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa J.A do të ballafaqohet me padi adekuate”, njofton policia e Tetovës.

Rasti tjetër i dhunës ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, në shtëpinë e përbashkët të dy vëllezërve G.I 43-vjeçarë dhe R.I 37-vjeçarë në Tetovë, në të cilën shtëpi vëllezërit kanë jetuar në kate të ndryshme.

“Dy vëllezërit fillimisht janë zënë verbalisht për shkak të faturave të papaguara të rrymës elektrike, pas çka zënka verbale ka eskaluar në dhunë fizike, ku me shuplakë është goditur edhe gruaja e njërit prej vëllezërve, 32-vjeçarja me iniciale SH.SH. Menjëherë dy të përfshirët në këtë dhunë fizike familjare janë arrestuar dhe mbajtur në stacionin policor të Tetovës dhe pas zbardhjes së plotë të rastit, do të pasojë edhe padi adekuate”, njofton policia e Tetovës.