Kampioni shqiptar i mundjes për U17, Leonardo Frrokaj, është bërë protagonisti fatkeq i një ngjarje të rëndë gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Ballkanik të kësaj grupmoshe në Slloveni, pasi ka përfunduar në koma pas një incidenti të rëndë që i kishte ndodhur gjatë një lufte të tij.

Sipas asaj që raporton “Top Channel”, sportisti që garon në peshën 63 kilogramë në stilin greko-romak, po garonte në gjysmëfinale më datë 4 nëntor ndaj një bashkëmoshatari moldav. Pas një përplasje ai ka humbur menjëherë ndjenjat duke mbetur i shtrirë në tapet.

Mjekët e pranishëm e kanë asistuar menjëherë dhe është konstatuar se kjo ishte pasojë e dëmtimit të dy vertebrave në shtyllën kurrizore.

Ai është transportuar menjëherë me helikopter nga Mursak Sobota, ku zhvillohej gara, në Ljubjanë, ku i është nënshtruar një operacioni që ka zgjatur 4 orë. Megjithatë, situata shëndetësore e tij është e rëndë, pasi djaloshi është në koma dhe së shpejti pritet që mjekët të kryejnë një tjetër ndërhyrje kirurgjikale për të stabilizuar gjendjen dhe për të kthyer frymëmarrjen natyrale të sportistit shqiptar.