Shkruan Mr. sc. Arbenita Meta

Sistemi politik përbëhet nga mishërimet e tij estetike. Raporti mes liderit dhe pasuesve të tij në masë të madhe është i formësuar me sistemin estetik për krijimin e të cilit punohet me shumë kujdes. Me fjalë të tjera, nëse duam të flasim për politikë nuk mund ta anashkalojmë estetikën dhe anasjelltas çdo aspekt i estetikës pashmangshmërisht është i politizuar.

Të dy këto nocione, estetika dhe politika, nuk mund të shqyrtohen ndaras, por janë nocione që funksionojnë si tërësi. Secila politikë ka mishërimin e vet estetik dhe çdo estetike i paraprin politika. Qëndrimet estetike fitohen gjatë jetës, ndërsa në krijimin e tyre punohet përmes sistemeve të ndryshme të edukimit, të cilat janë, logjikisht, të kushtëzuara me regjimin politik.

Shikuar nga këndvështrimi estetik, artisti është furnizues i përvojës estetike, duke përfshirë edhe atyre që kanë për qëllim të frustrojnë ose modifikojnë sensibilitetin estetik të shikuesit. Subjekti i përvojës estetike është padroni, ndërsa artisti është shërbëtori. Kjo do të thotë se artisti ka për detyrim të prezantojë përmbajtje, tema, motive, narrativa etj, të cilat vendosen nga fuqitë fetare ose politike.

Normat e të gjykuarit estetik mund të rishikohen në koncepte të caktuara të së vërtetës estetike. Për disa qëllime, është e dobishme që kjo të bëhet. Në kuptimin që angazhimi i ideve të tilla të së vërtetës estetike mund të ushtrojë ndikim në ekzistimin e praktikave të etabluara estetike. Megjithatë, nëse e zbatojmë konceptin e të vërtetës në estetikë arrijmë deri te ajo që e vërteta nënkupton një lloj normash sipas të cilave ekzistojnë gjykime të sakta dhe të pasakta të shijes, apo se disa gjykime janë më të mira sesa të tjerat. Nëse e zbatojmë nocionin e së vërtetës mund ta shprehim idenë normative ashtu që për një gjykim do të themi se është i vërtetë derisa i kundërti në atë rast është i rrejshëm. Ekzistojnë gjykime të tilla estetike që as ato, e as negacionet e tyre, nuk mund të jenë njëkohësisht të vërtetë. Edhe pse mund të përdorim parimin e normativitetit në fushën estetike, shtrohet pyetja a është kjo e nevojshme?

Nocioni i së vërtetës na fut në një fushë jostabile të të gjykuarit ku ndodhemi në situatë që të marrim vendime për atë se çfarë do të shpallim të bukur, e çfarë të shëmtuar. Në të vërtetë, në fushën e estetikës është e mundur që të flitet me terma të vendimeve politike në pajtim me raportin etik ndaj një gjëje të caktuar, derisa te gjykuarit në bazë të edukimit estetik do të ishte plotësisht i gabuar. Për gjykime politike, megjithatë, nevojitet edhe një nivel i caktuar besimi.

Të gjitha gjykimet politike pashmangshmërisht përmbajnë elemente të besimit implicit, në pajtim me logjiken e zgjedhjes politike, e cila shpesh është zgjedhje e vet folësit apo përfaqësuesit, ashtu si edhe zgjedhja e ideve, projekteve, programeve, planeve, të mishëruara në figura dhe të varura nga realitetet e tyre dhe kredibiliteti për realitetin dhe kredibilitetit të atyre figurave. Pasiguria, madje edhe ndaj objektit të të gjykuarit, figurës apo grupit të ideve, është e shënuar në logjikën e politikës, e cila, pa marrë parasysh regjimin, nënkupton t’i besohet individëve detyra e formulimit dhe imponimit të problemeve ose zgjidhjeve politike.

Ata individë gjithmonë mund të zgjidhen ose për shkak të programit të tyre (të objektivizuar), në kuptimin se veç ekziston një grumbull i gjykimeve të formuluara, apo i masave të paracaktuara publike, ose për shkak të personalitetit të tyre (të individualizuar), për shembull ndaj habitusit të tyre, stilit të të folurit, qëndrimit e të tjera të ngjashme.

Çdo “zgjedhje” politike merr parasysh, njëkohësisht, edhe personalitetin e garantuesit të asaj që ai garanton. Delegati në të njëjtën kohë është edhe përfaqësues i cili shpreh mendimin tashmë të shprehur të mandatarit të vet, por edhe agjent i cili ndjek programin e vet të brendshëm ose interesa të caktuar në pajtim me pozitën e vet në fushën e produksionit ideologjik, shpreh si ende të paformuluara, qëndrime implicite ose potenciale me çka ai i sjell në ekzistencë.

Ekzistojnë politika të artit të cilat mund të identifikohen tejet lehtë. Është e mundur të veçohen politizimet në vepra të letërsisë, filmit, pikturës, instalacioneve etj. Nëse këto politika përputhen me aktin e konstruktimit të disenzusit politik (political dissensus), atëherë kjo është fushë të cilën arti nuk mund ta kontrollojë.

Sot duhet të mësojmë si të jetojmë në gjendjen e ekspozimit të mediatizuar me prodhimin e sozive artificiale, avatarëve me qëllime të dyfishta. Duhet të vendosim veten në mediet vizuele dhe të fshehim trupat tonë biologjikë nga shikimi i medies. Është e qartë se një figurë e tillë publike nuk mund të jetë vepër e të pavetëdijshmes, fuqisë kuazi natyrale të trupit të njeriut, si në rastin e gjeniut të Kantit.

Por në të vërtetë, ajo duhet të sjellë vendime të caktuara teknike dhe politike në pajtim me të cilat subjekti i tyre mund të jetë i përgjegjshëm në aspektin etik dhe politik.

Dimensioni politik i artit në këtë mënyrë i prin produksionit. Politika e artit më pak merret me ndikimin e vet tek shikuesi sesa me vendimet që çojnë tek krijimi i artit që në fillim.

Shumë regjime politike kanë shfrytëzuar dhe shfrytëzojnë edhe më tej artin për qëllime politike, duke shfrytëzuar me vetëdije artin në formësimin e vetëdijes së popullatës së vet.

Nga ana tjetër, të njëjtën gjë e bëjnë edhe shumë lëvizje të rezistencës, shpeshherë me rezultate shumë më të mira estetike sesa ato që prodhon shteti. Fuqitë politike në masë të madhe kanë formësuar disiplina të ndryshme të historisë së artit, e ato arte që kanë mbijetuar nga e kaluara sot janë këtu sepse fuqitë politike e kanë lejuar këtë.

Mund të themi se çdo sistem politik në momentin e caktuar me shenja mund të indeksohet me mishërimin e vet estetik. Nga ana tjetër nuk mund të thuhet në tërësi për funksionin e artit në kuadër të politikës se i takon fushës së propagandës apo përhapjes së retorikës së caktuar. Ai raport mes artit dhe politikës është konstitutiv.

*Autorja është Piktore dhe Magjistre e menaxhimit industrial