Lëvizja Eco Guerilla dënon ashpër deklaratën joserioze dhe nënçmuese të zëdhënësit të komunës së Tetovës, ndaj qytetarëve të cilët janë të shqetësuar seriozisht për shkak të cilësisë së ujit të pijshëm që ditët e fundit mban erë apo shije të çuditshme, si ajo e gazit apo kimikateve, njofton Fol.

”Edhe pse nuk është kompetent, zëdhënësi i Komunës së Tetovës dje i ka demantuar si të pavërteta këto ankesa të qytetarëve duke thënë se nuk ka asnjë problem me ujin edhe pse ankesat e qytetarëve i ka vërtetuar edhe Instituti për Shëndetësi Publike, si institucion i vetëm kompetent.

Këtë deklaratë e vlerësojmë si skandaloze dhe arrogante dhe si tallje me dinjitetin e qytetarëve, për të fshehur faktin se në Tetovë qytetarëve po u mohohet e drejta kushtetuese për ujë të pijshëm. Ndërkaq Instituti për Shëndet Publik vlerëson që uji për pije në Tetovë “Ka shije të re, por nuk ka erë”. Sipas tyre uji nuk ndalohet për përdorim, por nuk rekomandohet të pihet”.

Këto deklarata kundërthënëse nga Komuna e Tetovës dhe nga Instituti për Shëndet Publik edhe më shumë hutojnë qytetarët e Tetovës. Kërkojmë edhe një herë nga Komuna e Tetovës në vend të fushatës parazgjedhore, prioritet të ketë shëndetin e qytetarëve. Ajo që pritet urgjentisht, janë sqarimet e verifikuara shkencërisht, për cilësinë e ujit dhe veprimet që duhet të ndjekin qytetarët e Tetovës”, theksojnë nga Eco Guerilla. /Fol/