Ekzistenca e një numri të konsiderueshëm, por të panjohur të transportuesve të coronavirusit asimptomatikë në Kinë ka ngritur shqetësimin e publikut se njerëzit ende mund të transmetojnë virusin sepse ende nuk e dinë se a janë të infektuar apo jo.

Ndërsa virusi është ende duke tronditur botën, Kina po përgatitet të shpallë fitoren dhe tashmë po lehtëson kufizimet e lëvizjes të deklaruara për të parandaluar përhapjen e virusit. Kufijtë e provincës Hubei, epiqendra e virusit, u hapën të mërkurën pas dy muajsh bllokadë.

Por ekziston frika se heqja e kufizimit mund të fusë në qarkullim mijëra njerëz të infektuar.

Bartësit asimptomatikë të virusit paraqesin një sfidë të madhe për të kontrolluar përhapjen e sëmundjes infektive sepse zbulimi i tyre është i vështirë tashmë.

Në Kinë, numri i rasteve asimptomatike është sekret dhe nuk përfshihet në të dhënat zyrtare.

South China Morning Post, duke përmendur dokumente zyrtare të pabotuara, kohët e fundit raportoi se ka më shumë se 40,000 prej tyre, transmeton Telegrafi.

Kina ka raportuar më shumë se 80,000 të infektuar dhe gati 3,300 të vdekur.

A do ta transmetojnë sëmundjen?

Rastet asimptomatike aktualisht janë duke u zbuluar në të gjithë botën. Kina teston ata që kanë qenë në kontakt me njerëz me diagnoza të konfirmuara, dhe nëse konfirmohet se janë bartës të virusit, i fut në karantinë ata nëse kanë ose jo simptoma Covid-19.

Sidoqoftë, mos përfshirja në të dhënat zyrtare ngre dyshime për angazhimin e Pekinit për trajtim transparent, dhe disa ekspertë thonë se kjo mund të krijojë një pasqyrë të gabuar në lidhje me përhapjen e epidemisë edhe nëse sëmundja është nën kontroll.

Megjithëse nuk është regjistruar asnjë infeksion i ri në të dhënat zyrtare që nga 18 marsi, qyteti Wuhan njoftoi më 20 mars se një rast i sapo diagnostikuar nuk ishte përfshirë në të dhënat zyrtare sepse pacienti 62-vjeçar nuk kishte simptoma.

Referuar burimeve spitalore, gazeta Kaiksin raportoi se ky rast i ri në Wuhan ishte një mjek i infektuar nga një pacient asimptomatik.

Kina ka njoftuar se do të shtojë njerëz asimptomatikë në listën e rasteve të konfirmuara nëse më vonë shfaqin simptoma.

Po kur hiqen ndalimet?

Disa ekspertë paralajmërojnë se bartësit asimptomatikë të pazbuluar të virusit mund të jenë burimi i transmetimit të sëmundjeve të reja kur kufizimet e lëvizjes lehtësohen.

“Ky është një shqetësim i veçantë sepse shumë vende nuk kanë testuar ende njerëzit në komunitet”, thotë Adam Kamradt-Scott, ekspert i shëndetit publik në Universitetin e Sidneit.

Për më tepër, nuk është ende e qartë se në çfarë mase njerëzit asimptomatikë mund të infektojnë të tjerët.

Studimet e reja tregojnë se bartësit e viruseve asimptomatikë mund të përbëjnë një rrezik.

Një studim mbi anijen Diamond Princess tregoi se 33 nga 104 pasagjerë të infektuar mbetën asimptomatikë edhe pasi vëzhguan një kohëzgjatje mesatare dhjetë ditore në një spital në Japoni.

Ndërsa shumë dukeshin të shëndetshëm, disa individë fillimisht asimptomatikë zhvilluan shpejt simptoma të rënda.

A është çdo bartës i pestë pa simptoma?

Një studim tjetër, i botuar në 23 mars, shqyrtoi disa raste në qytetin jugperëndimor kinez të Chongqing. Studimi zbuloi se 18 për qind e të infektuarve ishin asimptomatikë, që do të thotë se pothuajse çdo i pesti bartës i virusit ishte pa simptoma.

Një studim i tretë madje zbuloi se gjasat e bartjes të virusit ishin më të larta kur simptomat e sëmundjes ishin më të buta.