Interpretimet e ndryshme rreth dispozitës kushtetuese për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re, por edhe shumë çështje tjera vunë në dukje se Kushtetuta e Maqedonisë është përplot zbrazëtira që sipas njohësve të drejtës kushtetuese duhet të plotësohet me dispozita precize. Profesori universitar, Svetomir Shkariq vlerëson se zbrazëtirat juridike janë rezultat i mos-njohjes së të drejtës kushtetuese nga vetë shkruesit e saj në vitin 1991. Sipas tij, zbrazëtirë është madje edhe mungesa e dispozitës me të cilën interpretimi i Kushtetutës do të përcaktohej si një nga kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë një kohë të gjatë ndjehet një nevojë e tillë, sepse në Kushtetutën tonë ka shumë zbrazëtira. Fillimisht nuk janë parashikuar aktet me Kushtetutë, përmes së cilave Presidenti e ushtron funksionin e tij. Njësoj, Kushtetuta për Gjykatën Kushtetuese parashikon vetëm një lloj të akteve dhe ato janë vendimet. Akt-vendimet nuk i parashikon, ata janë të parashikuara me Rregullore, kurse Rregulloren e sjell Gjykata Kushtetuese. Është e papranueshme që Gjykata Kushtetuese me aktin e vetë ta përcaktojë kompetencën e vetë. Ka shumë zbrazëtira të tilla, ashtu që është koha. Kurse ka edhe shumë probleme në pajtueshmërinë e Marrëveshjes Kornizë dhe Kushtetutës. Pajtueshmëria e tyre, kontradiktat, një sërë çështjesh tjera – tha Svetomir Shkariq, profesor universitar.

Edhe Profesori universitar, Osman Kadriu flet për nevojën e ndryshimit të kushtetutës ndërsa ndalet në dispozitat që janë drejtpërdrejtë të lidhura me statusin juridik, politik dhe kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni.

Është e nevojshme që pas zgjedhjeve, sidomos pas formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së saj nga ana e Parlamentit duhet të fillohet një fushatë e dendur politike dhe juridike për plotësimin dhe ndryshimin e Kushtetutës. Ka nevojë me Kushtetutë të precizohet çështja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare të rregullohen ato dispozita me të cilat rregullohet çështja e simboleve të garantohet arsimi në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet. Natyrisht ndryshimet tjera kanë të bëjnë me përfaqësimin adekuat, me inkuadrimin e shqiptarëve dhe ajo që është po ashtu e rëndësishme çështja e kombit shqiptar si shtet-formues në Maqedoni – deklaroi Osman Kadriu, profesor universitar.

Kushtetuta e miratuar në vitin 1991 disa herë ka pësuar ndryshime të vogla, por korrigjimin më të madh e ka pasur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 20011 përfshirë edhe preambulën e saj për të inkorporuar obligimet që dilnin nga kjo marrëveshja që po ashtu nuk janë precizuar saktë duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme. Ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave në Kuvend./Alsat-m