Pas përfundimit të periudhës së presidencën gjermane me BE-në dhe vetos së Bullgarisë për miratimin e kornizës negeciuese për Maqedoninë e Veriut, janë shuar shpresat se vendi mund të filloj negociatat qasëse të paktën në tre muajt e parë të vitit. Megjithatë, vendi shpreson që kjo gjë dhe raportet me Bullgarinë do të normalizohen pas zgjedhjeve parlamentare në Sofje, të cilat duhet të mbahen në mars.

Ekspertët vlerësojnë se tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të ulen dhe çështjet e mbetura të historisë do të zgjidhen pas zgjedhjeve në Bullgari.

“Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet t’i kalojnë mosmarrëveshjet dhe veprimet e fundit shkojnë në drejtim të uljes së tensioneve dhe fillimit të zgjidhjes së nyjës së fundit të mbetura në interpretimet e fakteve historike nga komisionet. Vjeshta ka gjasa të jetë moment i ri në raportet në mes Sofjes dhe Shkupit. Me këtë Maqedonisë së Veriut i hapet rruga drejt BE-së e cila me vite ka qenë e stërzgjatur nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm”, deklaroi për Portalb.mk eksperti Selim Ibraimi.

Ish ambasadori, Nano Ruzhin deklaroi për Portalb.mk se retorika e Bullgarisë sa i përket çështjes me Maqedoninë e Veriut, është marketing politik parazgjedhor dhe teza e Sofjes nuk është e qëndrueshme. Sipas tij, bllokada e vendit sa i përket eurointegrimeve, nuk është në interes të askujt.

“Mendoj se në këtë moment për shkak të fushatës që po zhvillohet në Bullgari rreth zgjedhjeve në mars, shohim se gjuha e nënvlerësimit apo në përgjithësi Maqedonia, bëhen temë qendrore në rivalitetet e atjeshme politike dhe për këtë do të thirresha në një deklaratë të presidentit Pendarovski i cili tha të pritet të mbahen zgjedhjet dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë. Mendoj se teza e Bullgarisë nuk është e qëndrueshme dhe mendoj se të gjithë në Bashkim Evropian e kanë të qartë se bllokada e vendit tonë nuk është në interes të askujt, aq më pak që jo vetëm nga aspekti i vlerave të BE-së, që e dimë se nga 1 janari tash më kanë përjetuar Brexit-in, ajo ka nevojë për zgjerimin e zonës së saj gjeopolitike dhe ekonomike. Në atë drejtim mendoj se, procesi i zgjerimit është një nga prioritetet e BE-së, ashtu siç tha edhe ministri i Jashtëm i Portugalisë”, deklaroi Ruzhin.

Sipas tij, BE është e vetëdijshme nga rreziku i ndikimeve dhe opsioneve të tjera sa i përket vendeve të Ballkanit.

“Ato janë të vetëdijshëm se, ekzistojnë edhe opsione të tjera, nga ndikimet ruse, turke, kineze dhe deri te ai opsion që e flasin amerikanët mundësia e formimin të një lloj shtete të Ballkanit të cilat do të ishin jashtë BE-së dhe do të funksiononin në mënyrë të vet. Në atë drejtim sfidat janë shumë të mëdha për BE-në dhe unë jam optimist. Mendoj se fjalët e Karakaçanov-it janë vetëm marketing zgjedhor dhe nuk duhet të merren parasysh seriozisht, madje do t’ju sugjeroja mediave dhe ekspertëve tanë që të mos i përgjigjen çdo provokimi të tij. Do të thotë, duhet të jemi të matur, pozitiv të mos e dëmtojmë më tej procesin e asaj që Maqedonia e filloi si shtet që duhet të anëtarësohet në BE”, theksoi ai.

Ish ambasadori Ruzhin është optimist se, pas zgjedhjeve në Bullgari, situata do të normalizohet dhe dy palët mund të arrijnë një zgjidhje.

“Raportet diplomatike aspak nuk janë përkeqësuar, por vetëm qëndrime individuale nga lider të caktuar politik, megjithatë në nivel të diplomatëve, në nivel të kryeministrave, mendoj se ne jemi në raporte të mira dhe kapim mjaft propozime të tyre caktuara, megjithatë deri në kufirin ku vihet në pikëpyetje identiteti. Jam optimist se këto çështje shumë shpejt do të tejkalohen, pas marsit do të vjen ekip e re, mund të jetë edhe ekipi i vjetër, nuk duhet të jetë Karakaçanov dhe mendoj se me Borisov-in do të arrinim kokludime dinjitoze”, deklaroi ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva, vendi i të cilit mori presidencën e radhës të BE-së më 1 janar të këtij viti, ka deklaruar se, Portugalia do të përpiqet të organizojë konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në gjysmën e parë të vitit.

Silva në një brifing online, theksoi se hapja e bisedimeve të pranimit me Shkupin dhe Tiranën është midis përparësive të presidencës Portugeze. Ai theksoi se BE-ja deri më tani i ka dërguar shumë kërkesa Maqedonisë së Veriut, vendi ka zbatuar një numër reformash të rëndësishme dhe madje ka ndryshuar emrin.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.