Tërheqja e aktakuzës për rastin ‘Puç’ është mundësi ligjore të cilën e parashohin dispozitat e ligjit të procedurës penale, tha profesorja universitare, Arta Bilalli, në emisionin ‘Arena’ në TV Shenja.

“Siç dihet, rasti ‘Puç’ është inicuar ndryshe jo direkt nga Propuroria Speciale. Ata e kanë marrë nga Prokuroria e rregullt dhe tani nuk mjaftohen me ato prova me të cilat disponojnë. Ligji e mundëson tërheqjen nga ndjekja dhe në atë rast parashihet që gjykatësi individual apo Këshilli gjyqësor i përbërë nga tre gjykatës, në qoftë se bëhet fjalë për vepër për të cilën dënimi është mbi dhjetë vjet, të sjell vendim për ndërprerje të procedurës të cilin vendim ia dorëzon edhe të pandehurit edhe mbrojtësit, dhe poashtu parasheh që ai vendim t’i dorëzohet edhe të dëmtuarit”, deklaroi Bialli e cila shtoi se Prokuroria Speciale duhet të ia sqarojë opinionit a është kjo tërheqje nga ndjekja për këtë rast apo është ndonjë institut special që po krijohet në këto kushte.

 Nga ana tjetër, profesori universitar Nazmi Maliqi, tha se fatkeqësisht Prokuroria Speciale që nga fillimi i saj ka hasur në pengesa të shumta të cilat ia pamundësuan që ta kthejë shtetin juridik dhe ta kthejë besimin e qytetarëve në pushtetin gjyqësor.

“Mendoj se këtu kanë munguar më shumë komponenta që do ta ndihmonin PSP-në për të qenë më e kompletuar me provat e veta, për të kompletuar lëndët, për të qenë edhe një proces shumë më i besueshëm dhe të krijohet një opinion publik se diçka po ndodh e re në R. e Maqedonisë se është kthy ai elementi i shtetësisë për dashuri ndaj shtetit dhe për të funksionu shteti në norma. Mendoj se në këtë drejtim duhet të plotësohet PSP-ja e cila tenton në këtë drejtim që të plotësohet nga këndi i policisë, nga këndi edhe i gjykatave, që të kompletohet që ata të jenë më të suksesshëm sepse nëse në tri anët bllokohet atëherë PSP mbetet një dëshirë e mirë”, tha Maliqi.

Ndërkohë sipas gazetares Gordana Duvnjak, vendimi i Prokurorisë Speciale për tërheqjen e aktakuzës në rastin ‘Puç’, ishte i pritshëm dhe i logjikshëm.

“Nëse e kemi parasysh punën e deritashme të PSP-së dhe hapjen e dy procedurave parahetimore për dy raste të tjera siç ishte rasti ‘Fortesa’ dhe ‘Target’, në njëfarë mënyre janë në korelacion të drejtpërdrejt me atë se kush ka përgjuar. Atëherë ishte shumë e logjikshme që elementet e deritanishme të aktakuzës për rastin ‘Puç’ të biejn në ujë, sepse nga përmbajtja e procedurës parahetimore për rastin ‘Fortesa’ erdhëm deri tek informacione të cilat ishin publikuar në opinion se dikush me qëllim të caktuar ka shkatëruar dy aparate për përgjim”, tha Duvnjak.

Ajo shtoi më tej se të gjitha tezat e pushtetit se përgjimi është kryer nga shërbime të huaja,janë të pabaza, pasi deri tani në asnjë moment nuk e kanë dëshmuar se për cilat shërbime të huaja bëhet fjalë dhe për cilin shtet këto shërbime kanë përgjuar në Maqedoni. /SHENJA/