Ministri i brendshëm Oliver Spasovski nuk ka informata se Naim Alili, personi nga Vaksinca në objektin e të cilit u gjetën 81 emigrantë, pas arrestimit dhe marrjes në pyetje në policinë e Kumanovës është lënë i lirë. Spasovski për këtë i akuzoi organet e prokurorisë dhe gjykatës. Sipas tij, procedurat e mëtutjeshme nuk janë nën kompetencat e policisë, por të prokurorisë dhe gjykatave.

Ne kishim aktivitet në Vaksincë ku në një shtëpi u zbuluan 81 emigrantë. U arrestua një person, pronari i shtëpisë dhe iu dorëzua prokurorisë themelore për të vepruar lidhur me veprën penale, përkatësisht dyshimet për vepër penale. Unë nuk kam ndonjë informatë nëse i është shqiptuar ndonjë masë, por ky është problem i shtetit. Problemi i shtetit është që nuk mundet vazhdimisht të punohet në luftën kundër krimit dhe më pas kur kriminelët të nxjerrën para drejtësisë, para prokurorit dhe gjykatës, aty më nuk kemi përparim në pjesën e veprimit, ngritjen e procedurës, shqiptimin e masës së kujdesit- tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Spasovski tha se policia kishte informacion për lidhjen në këtë rast, me grupe të tjera, por nuk pranoi të zbulojë informacione.

Unë ju bëj thirrje mediave, hetimet të mos kryhen përmes mediave. Ne nuk mund të bëjmë hetime para kamerës dhe në fund kur ta bëjmë ndonjë aksion , e njoftojmë publikun.- tha Oliver Spasovski.

Nga 81 emigrantët të cilët u zbuluan, 19 ishin të mitur dhe të gjithë u transferuan në Qendrën e Pritjes në Tabanoc. /Alsat M/