Nga Medai Shaholli

 

(qyfyre bulevardi) 

Zeadin Sela, lideri i ASH-së u vetpërcaktua tashmë si kandidat i vetëm në kongresinë e 27 marsit për kreun e partisë përkundër rregullave të statutit të partisë edhe pse më parë kish deklaruar se mandati i kryetarit të partisë të kufizohet në dy herë!
Por, përkundër të gjitha rregullave të partisë kapedani i ASH-së vendosi të rikandidojë i vetëm për kryetar të partisë edhe për katër vitet e ardhëshme si despot i pamposhtur në krye të partisë.

Në mendjen e tij ai bluan mendimin se edhe pse humbës serik (njëlloj si Luli i PD-së) nuk do të largohet nga kreu i partisë që vet e lindi dhe e rriti me shumë mund, pasi aty në krye të partisë ndihet i ‘graduar’ dhe i faktorizuar si personi që përfaqëson opozitën, për të cilën pushteti ka rezervuar privilegj të veçantë në përcaktimin e komisioneve të veçanta parlamentare që u rezervohen opozitës.

Në këto rrethana detyrimisht edhe kreu i opozitës shqiptare do trajtohet si protagonist në zhvillimet politike dhe në debatin parlamentar për çështje të ndryshme në parlament dhe më gjerë.
Humbja e postit të kryetarit apo largimi nga detyra e postit të kryetarit të partisë do të thotë humbje e privilegjit të kreut të opozitës shqiptare, për pasojë pushon së ekzistuari roli i protagonistit opozitar në parlament dhe jashtë tij.
Këto privilegje Zeadin trimit i kushtojnë shumë siç janë: humbje e prestigjit në parti si humbës serik poashtu edhe në aspektin financiar, ku burimet financiare të partisë do t’i menaxhonte një tjetër menaxhues, ku ai përfundimisht do të ngelte thjesht një deputet i partisë.

Ndaj dhe egoja e Zeadinit për ta mbajtur karrigen e kryetarit deri në pafundësi si mentalitet i ndryshkur despotik edhe i shumë liderëve shqiptarë që të qëndrojnë në krye të partisë deri në vdekje, duhet të marr fund nga kundërshtimi i vendosur i militantëve të ASH-së si dhe i të gjitha partive politike shqiptare për mos të lejuar despotë në krye të partive!

Rizgjedhja e Zeadin trimit në krye të ASH-së do t’i shërbej vetëm atij dhe klanit të tij duke vazhduar të përfitoj nga posti i përjetshëm i kryetarit nga leverditë financiare të partisë dhe të pushtetit që ai ndan ‘kocka’ edhe për opozitën me kushtin që ajo të leh në parlament por mos t’i kafshojë qeveritarët!

Këto janë arsyet që Zeadini nuk ikën nga kreu i ASH-së, pasi në vendet me demokraci hibride dhe të cunguar si ‘Severna’ jonë, ku liderët politik vazhdojnë të përfitojnë padallim pozitë-opozitë nga ky pushtet i kredhur në kënetën e krimit dhe të korrupsionit.

Për në fund të kësaj historie Zeadini trimi tha: ‘Çish t’boj, ma mojr un se nji qetër ta mare partin, un jom msu me rrejt nuk ja lo atine si nuk din pi ka lidhet magjari’!