Erdogan: Kemi jetuar me minaret, jemi rritur me ezanet…

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka thënë sot se “Ne kemi jetuar me minaret, jemi rritur me ezanet dhe gjithmonë kemi dashur që xhamitë të mos mbeten pa besimtarë”.
 

Këto fjalë Presidenti Erdoğan i ka thënë gjatë një fjalimi në ceremoninë e hedhjes së themeleve të Xhamisë së Qendrës në Dijarbakir.

Erdoğan në fillim të fjalimit të tij ka theksuar se është i kënaqur që gjendet në një ceremoni ku u hodhën themelet e një xhamie prej 28 mijë metra katrorë dhe në të cilën do të mund të falen të paktën 20 mijë besimtarë.

“Ne kemi jetuar me minaret, jemi rritur me ezanet dhe gjithmonë kemi dashur që xhamitë të mos mbeten pa besimtarë. Edhe me këtë objekt ne synojmë atë që themi. Ezanet janë themeli i fesë, shehadetit dhe duhet të ngrihen gjithmonë në qiejt e atdheut tim të përhershëm. Falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë projekt”, tha Presidenti Erdoğan në vijim dhe më pas kërkoi nga drejtuesit e projektit që të mbarojë sa më parë.

Pas ceremonisë së hedhjes së themelit Presidenti Erdoğan dhe ekipi që e shoqëronte u nisën për në drejtim të Prefekturës, atje ku do të bëhej edhe ceremonia e inaugurimit të disa projekteve.

Ndërsa Presidenti Erdoğan udhëtoi me autobusin e presidencës nga aeroporti i qytetit deri në qendër të tij, ku qytetarë të shumtë kishin mbushur rrugët për ta përshëndetur atë.

Mijëra qytetarë të vendosur në anët e rrugëve, mbanin në duar flamuj të Turqisë dhe pankarta me mbishkrime, ku uronin mirëseardhjen presidentit. Ndërsa Presidenti Erdoğan ka përshëndetur qytetarët dhe ka shpërndarë dhurata për të pranishmit dhe veçanërisht për fëmijët.

Ndërkohë gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e inaugurimit të disa objekteve njëherësh, Presidenti Erdoğan u shpreh: “Përkrahësit e PKK një dy thonë paqe, paqe. A ka paqe me fjalë? A mund të sjellin paqe ata që shëtisin me armë? Ne e bëjmë me vepra. Ne nuk harrojmë fëmijët që qanin më të madhe përpara bashkisë së Dijarbakir-it dhe nënat që derdhnin lot për fëmijët që dilnin në male. Ata që ju thanë këtyre nënave, paqe, shikoni se si sillen me tradhti. Por ne ju afruam me dorën e mëshirës. Realisht ne jemi ata që punojnë për paqen. Dhe do të vazhdojmë të jemi. Turqia ashtu sikurse nuk mund të jetë pa Stamboll, Izmir, Trabzon, Antlaia, Erzurum, nuk mund të jetë edhe pa Dijarbakir. Disa po punojnë për të na hequr zemrën. Dijarbakir-i është vula e Turqisë dhe ne nuk do të lejojmë kënd që ti zgjasë duart atij. Allahu ka krijuar të ardhmen tonë në të njëjtin atdhe dhe gjeografi. Ashtu sikurse edhe e shkuara, edhe dhe e ardhmja është e përbashkët”.