Tre të burgosur në burgun e Manastirit kanë hyrë në grevë urie, në shenjë proteste për kushtet katastrofale në të cilat kryejnë dënimin, njoftojnë familjarët nëpërmjet rrjeteve sociale. Në grevë urie kanë hyrë të burgosurit, Burhan Saliu, Osman Osmani dhe Rexhep Memishi.

Ky i fundit është i dënuar me 7 vjet burg, dënim të cilin e kryen në një institucion të destinuar për të burgosurit e dënuar me minimum tre vite.

Ata ankohen për terror psikologjik, provokime nacionaliste dhe fetare nga ana e gardianëve, kufizim të vizitave familjare në vetëm 30 minuta, moslejim të librave, kufizim të ngrohjes në vetëm dy orë në ditë, ushqimi të papërshtatshëm dhe qeli me kushte katastrofale. Të burgosurit e kanë njoftuar për grevën edhe Komitetin e Helsinkit, thonë familjarët.

Ndërkohë, drejtori për zbatimin e sanksioneve, Jovica Stojanoviq, pranoi se disa të burgosur kanë paralajmëruar gojarisht grevë urie në burgun e Manastirit, por deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur, thotë ai.

Sipas rregullave të këtij institucioni, grevën e urisë duhet dërguar në formë të shkruar, që deri në këto momente nuk ka ndodhur, sqaron Stojanoviq. Ai tha se i ka dërguar shërbimet përkatëse për të biseduar dhe gjetur zgjidhje për problemin e tyre pa pasur dëme mbi shëndetin e tyre. Ai gjithashtu thotë se Burgu i Manastirit shumë shpejt do të rikonstruohet.