Ministria e Jashtme ruse thirri ambasadorët e 23 vendeve të huaja që kanë dëbuar diplomatë rusë, për t’u dorëzuar atyre nota proteste dhe për t’i informuar mbi kundërpërgjigjen e Rusisë.

Rusia i kërkoi ambasadorëve të huaj që të dërgojnë në shtëpi një numër stafi të barabartë me numrin e rusëve që vendet respektive kanë dëbuar.

Masat e 23 vendeve për dëbimin e diplomatëve rus u morën në solidarizim dhe mbështetje me Britaninë e madhe dhe vendet e tjera perëndimore që dëbuan dhjetëra diplomatë rusë si reagim për sulmin me armë kimike ndaj ish agjentit rus Sergei Skripal në Salisbury, ku u lëndua rëndë edhe vajza e tij Julia.

Moska i ka mohuar akuzat të ketë dorë në ngjarje dhe tha se po dëbon diplomatët si reagim ndaj veprimeve të gabuara të vendeve perëndimore. Por këto të fundit, thonë se Rusia nuk ka justifikim për dëbimin dhe se nuk duhet të sillet sikur është një viktimë e situatës.