Në emisionin ”Rruga drejt” në Alsat M, është zhvilluar debati mbi temën ”Ballfaqim parazgjedhor mbi politikën e jashtme”, ku të ftuar kanë qenë Bojan Mariçiq nga LSDM, Agon Ferati – ASh, Bujar Osmani- BDI dhe Stefan Andonovski-VMRO.

Kryetari i departamentit për politik të jashtme – ASH, Agon Ferati ka kritikuar zv.kryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmanin për imazhin e keq që i ka dhënë shtetit në politikat e jashtme, sepse nuk është imazhi i duhur i cili mund të udhëheq negociatat me Bashkimin Evropian. Maqedonia, sipas tij, gjatë procesit integrues është sjellë si ai nxënësi i keq, që asnjëherë nuk i ka marrë parasysh vërejtjet që janë bërë, pavarësisht fjalorit diplomatik që është përdorë.
”Pak më herët zotëri Osmani ceki se ndjehet krenar për udhëheqjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë ne duhet të kemi parasysh, kjo është e rëndësishme se ndërlidhet me imazhin e vendit. Domethënë Bujar Osmani nuk është imazhi i duhur i cili mund të udhëheq negociatat me Bashkimin Evropian. Bujari e di këtë gjë, ka lëndë të hapur në Prokurorinë Speciale dhe ajo nuk është delikuencë kavalierësh, është krim i rëndë. Fatkeqësisht nuk shohim që lënda ka procedim apo epilog gjyqësor. Duket që ka ndërhyrje edhe politika aty dhe imazhi negativ i një shteti nuk është çështje e një kriteri që plotësohet shpejtë, duhen shumë vite. Prandaj, është e nevojshme inkuadrimi dhe marrja e legjitimitetit të Aleancës për Shqiptarët së bashku me partnerët e koalicionit – Alternativa dhe të promovojnë një politikë ndryshe dhe konform rregullave dhe harmonizimit ligjor të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Ferati.

Ferati ndër të tjera shton se Osmani është dashtë të tërhiqet nga posti i zv.kryeministrit deri në momentin kur del i pafajshëm, sepse për gjithë këto vite të procedurës, sipas tij, Osmani është sjell sikurse nuk ka ndodhur asgjë.

Një vlerësim i tillë ka qenë i papranueshëm për Bujar Osmanin, se ai është politikani i parë që e ka kaluar vetingun dhe se lënda nuk ka pas asnjë element subjektiv. /Albanews24/