Krerët e “Aleancës për Shqiptarët” në suaza të bashkëbisedimit me qytetarë, organizuan takim me migracionin shqiptar që jetojnë në Cyrih të Zvicrës, ku debatuan në lidhje me tema të caktuara politike dhe njëkohësisht promovuan planin për veprim politik të ASH-së në të ardhmen.

Gjatë diskutimit të tij, nënkryetari Agon Ferati paralajmëroi se “Aleanca për Shqiptarët” do të hap një kapitull të ri të bashkëpunimit me diasporën, ku për synim do të ketë përmirësimin e jetesës dhe arritjen më të shpejtë të standardeve europiane, përmes mbështetjes intelektuale dhe afariste që mund të ofrojë migracioni shqiptar.

Në fjalimin e tij, Ferati tha:

“Në politikbërjen e ASH-së ne duhet të përfshijmë edhe resurset që ofron migracioni, parasegjithash, nevojat, kërkesat, por edhe njohuritë e afaristëve shqiptarë që jetojnë në diasporë. Kështu do të kontribuojmë më shumë për zhvillimin e vendlindjes tonë. Ne si shqiptarë, akoma nuk kemi shterrur të gjitha resurset dhe potencialin që ofron diaspora shqiptare në këto sfera. Përmes organizimit të këtillë politik, ne si ASH, planifikojmë që ta hapim një kapitull të ri bashkëpunimit me diasporën shqiptare jo vetëm në Zvicër, por edhe në vendet tjera ku kemi emigracion. Unë sonte këtu, do të kisha dashur që të hapim më shumë debat për modalitetet e bashkëpunimit tonë, edhe pse e di që nuk do të mundemi ti shmangemi pyetjeve të aktualitetit politik në Maqedoni. Unë do të kisha dashur që sonte të rikujtoj që diaspora shqiptare kontribon 10-të fish më shumë për zhvillimin e Maqedonisë se sa Bashkimi Europian, ky kontribut vjen në formë të remitancave që ju dërgon familjeve në vendlindje. Shpesh herë ndërmerni inciativa edhe për të ndihmuar për projekte infrastrukturore të ndryshme, atëherë kur vëreni se mungon mbështetja qeveritare. Derisa BE-ja për kontributin që jep, parashtron kërkesa dhe obligime drejtuar qeverisë së Maqedonisë, pse këtë mos e bëni edhe ju në drejtim të zhvillimit të drejtë dhe afatgjatë të vendit, në drejtim të bashkëpunimit ekononomik për rritjen e mirëqenies dhe punësimit të rinisë, në atë shëndetësor me mjekët më eminent që keni në mesin tuaj dhe bashkëpunime të tjera të kësaj natyre.

Përmes inicijativës së ASH, ne do të tentojmë që të përshpejtojmë tempon e arritjes së standardeve europiane duke mësuar nga ju dhe adoptuar përvojat e juaja. Ne kemi nevojë për ju, ndërsa ju do të keni gjithmonë mbështetjen e Aleancës për shqiptarët për cfarëdo problemi me të cilin do të ballafaqoheni në vendlindje, ani se për momentin ndodhemi në opozitë, të drejtën e organizimit, ngritjes së zërit, denoncimit publik, apo protestave nuk mund të na ndal askush dhe ju mund të llogarisni në mbështetjen maksimale të Aleancës për Shqiptarët”.