Çdo fëmijë është i rëndësishëm dhe si i tillë ka nevojë për përkujdesje dhe dashuri. Mungesën e përkujdesjes fëmijët më shumë e vërejnë gjatë festave.

Për ta bërë festën e fundvitit më të veçantë dhe më interesante për ta, fëmijët e fshatit SOS dhe Shtëpisë për fëmijë pa prindër “11 tetori” u pritën në qeveri, ku edhe i morën dhuratat e fundvitit. Kryeministri Zaev tha se me këtë gjest dëshiroi që të japë porosinë se secili fëmijë meriton përkujdesje.

“Me të vërtetë qëllimi ynë kryesor është që deri në vitin 2020 asnjë fëmijë mos të mbetet pa kulm mbi kokë, të mos ketë fëmijë pa kujdes. Kemi tendenca moderne në pajtueshmëri me perspektivat europiane, e ato janë kyçja e fëmijëve në familje ku do të kenë përkujdesje të plotë si dhe më shumë familje do të lidhin marrëveshje me shtetin për kujdes të fëmijëve”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Maqedonia po përballet me problematikën e mungesës së kapaciteteve për kujdesin e fëmijëve, prandaj është e nevojshme që qeveria të ndërmarrë strategji për përkujdesje të fëmijëve nëpër familje.

“Pjesë e misionit tonë është se asnjë fëmijë nuk duhet të rritet vetëm. Prandaj, shfrytëzoj mundësinë të them që jemi të interesuar për strategjinë e ardhshme të qeverisë në drejtim të preventimit social, për atë se numri i fëmijëve pa strehë vazhdimisht rritet, ndërsa shteti nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me këtë problematikë”,– tha drejtoresha e Fshatit të fëmijëve SOS, Juliana Gapo.

Drejtoresha e Shtëpisë së fëmijëve pa prindër “11 tetori” falënderoi kryeministrin për kohën e veçuar, duke thënë se shpreson që viti 2018 do të jetë më i mirë edhe për fëmijët pa prindër.