Kërcënimi i VMRO-DPMNE-së se çdo parti e cila do të marrë vendim të formojë koalicion pa partinë e Gruevskit do të përballet me problem në të ardhmen, sipas profesorit universitar, Milaim Fetahut, paraqet kërcënim adresuar shqiptarëve, sikurse shqiptarët kanë tradhtuar çështjen e parimeve për formimin e qeverisë së re.

Në emisionin “Argument”, Fetahu thotë se kërcënimi i tillë vjen si pasojë e mungesës së parimit të badenterit për formimin e qeverisë.

“Kjo lloj kanosje adresën e ka te pala shqiptare, është e adresuar për ne shqiptarët, pasi që nëse nesër kjo parti i bën 61 deputetë në zgjedhjet e ardhshme, atëherë me 61 deputetët nuk do të thirr askënd, ose do të thirr cilin dëshiron ajo, një dy-tre deputetë të pavarur, ose do huazojë një prej LSDM-së, dhe kjo do të jetë legale. Mua më vjen keq që nuk është vendosur mekanizmi i vendimmarrjes i ashtuquajtur me shumicë të dyfishtë. Sikur të jetë ky mekanizëm i votimit të dyfishtë nuk do të mund të dilej me kësi lloj deklarata”,- tha profesori universitar, Milaim Fetahu.

Me gjithë situatën e krijuar, analisti politik, Gazmend Ajdini, thotë se BDI është në një pozitë mjaft të volitshme politike, ndërkaq zhgënjen pozita e LSDM-së, e cila ra në kurthin e presidentit Ivanov.

“Asnjëherë relevancë më të madhe nuk ka pasur vota e deputetit shqiptar se tani, por nga ana tjetër është në një situatë të përgjegjësisë shumë të madhe për shkak se ka disa dilema, d.m.th. parimi fitues me fitues apo platforma. Ajo që mua më habit është pozita e LSDM-së, e cila në një mënyrë, sipas meje, u kap në kurthin e Ivanovit dhe kërkon 61 nënshkrime që të fillojë negociata, a negociatat kanë filluar. Shpresoj dhe dua të besoj që LSDM nuk negocion për nënshkrime në këto biseda, por negocion për platformën”,- tha analisti politik, Gazmend Ajdini.

Nëse në këtë fazë të bisedimeve nuk arrihet diçka konkrete, atëherë gjasat për formimin e qeverisë në 20 ditët e fundit do të jenë minimale, thotë Ajdini. Sipas profesorit Fetahu, çështja e gjuhës vështirë do të kapërdihet edhe nga LSDM.

Edhe vizita e komisionarit, Johanes Han, nga Ajdini nuk shikohet me shumë optimizëm. Qeveria e zgjeruar, siç kërkon Bashkimi Europian, sipas Ajdinit do të jetë afatshkurtër, duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, që sipas profesorit Fetahu vetëm se do të ishte humbje kohe, financash dhe ngecje në reforma.