“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës sorollatjet 8-mujore të një qytetareje, pas disa gafave të njëpasnjëshme të Gjykatës së Korçës.

Elidjana Mëniku u ankua se, megjithëse ka fituar një vendim gjyqësor, nuk ka arritur ende të përdorë një pronë të sajën.

Gjyqtari Markelian Kuqo ka dhënë dy herë gabim të njëjtin vendim, ndërkohë që, pasi qytetarja ka bërë sërish kërkesë, ai ka argumentuar për herë të tretë se kërkesa është formuluar gabim! Për pasojë, qytetarja ka 8 muaj që pret korrigjimin për herë të tretë të vendimit nga gjyqtari Kuqo dhe nuk ka arritur që të regjistrojë pronën në Hipotekë.

“Unë, bashkë me dy motrat dhe vëllanë kemi fituar një gjyq në Gjykatën e Korçës, për 26 dynymë. Mua më ka vdekur nëna para viteve ’90. Babai u martua sërish dhe pati një vajzë me gruan e dytë. Babai më vdiq para 4 vitesh. Ne kemi përfituar tokë bujqësore në vitin 1991 me ligjin 7501”, thotë ankuesja, Elidjana Mëniku.

Më tej, ajo shton se familja kishte rreth 30 dynymë, ndërsa bëri edhe një gjyq trashëgimie.

“Bëra kërkesë në Gjykatën e Korçës me objekt pjesëtimin e pasurive të paluajtshme. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Markelian Kuqo. Në maj të vitit 2017, gjyqtari pranoi kërkesën tonë, por bëri gabim në ndarje. Ne kërkuam rreth 26 dynymë, sa na takonte, ndërsa gjyqtari na dha vetëm 1.8 dynymë. Pjesën tonë ia kaloi njerkës. Më pas bëra kërkesë për ndreqje gabimi. Gjyqtari Kuqo e pranoi kërkesën dhe na dha në vendim 26 dynymët, por sërish vendimi kishte gabime. Koordinatat binin te pjesa prej 1.8 dynymë dhe ne nuk e regjistronim dot pronën në Hipotekë”, vijon ajo.

Ajo shkoi sërish në gjykatë, ku një sekretare i diktoi kërkesën për ndreqje gabimi.

“Në dhjetor të vitit 2017 më vjen një vendim nga gjyqtari Markelian Kuqo, i cili na thotë se kërkesa nuk është bërë në bazë të ligjit. Tani i bie që të bëj sërish kërkesë, të shkoj në Korçë, pasi banoj në Tiranë, të paguaj avokat dhe shpenzimet gjyqësore”, thotë ajo.

Më pas, ankuesja shkon të pyesë personalisht në Gjykatën e Korçës. Ajo kërkon të takojë gjyqtarin Markelian Kuqo, por punonjëset i thonë se nuk mund ta takojë. Pasi i tregon të gjithë problemin, sekretarja i thotë se nuk mund të komentojë vendimin e gjyqtarit. Ndërkohë, në një moment, sekretarja i thotë se gabimi është bërë, por sërish nuk mund të vendosë gjë.

Pas pranimit të gabimit, gazetarët e Fiksit shkuan në Gjykatën e Korçës për të takuar këtë gjyqtar. Pas kërkesës, një punonjës bëri rolin e ndërmjetësit mes gazetarëve dhe gjyqtarit. Fillimisht gjyqtari nuk pranoi të takojë gazetarët, madje as të japë shpjegime.

Punonjësi u thotë gazetarëve se gjyqtari nuk mund t’i takojë, por kërkon të dijë se për çfarë problemi interesoheshin. Pasi gazetarët ia shpjeguan problemin, punonjësi shkon të takojë sërish gjyqtarin. Por, edhe kësaj herë, gjyqtari sërish nuk i takoi gazetarët.

Punonjësi u tha se gjyqtari i kishte thënë se i ka dhënë qasje sa herë që ka bërë kërkesë dhe shprehej me vendime. Pra, për gabime të përsëritura të gjyqtarit, një qytetare ka bërë shpenzime transporti, pasi jeton në Tiranë, akomodimi, ka lënë punën dhe sërish nuk ka marrë një zgjidhje.