Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, e ka konfirmuar vdekjen e kompozitorit, muzikantit dhe moderatorit Dragan Vuçiq, i cili ishte i infektuar me coronavirus.

Filipçe thotë se Vuçiq është hospitalizuar para tetë ditëve, prej kur edhe iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe është vendosur në kujdes intensiv.

“Sot në mëngjes në Klinikën Infektive nga coronavirusi ka ndërruar jetë muzikanti, kompozitori dhe moderatori jonë i njohur Dragan Vuçiq. Ai është hospitalizuar para tetë ditëve, pasi është përkeqësuar gjendja e tij dhe është vendosur në departamentin për kujdes intensiv”.

“Edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe gjithë ekipit profesionist, Vuçiq me gjendje të rëndë në mushkëri, për fat të keq, i është nënshtruar virusit. Shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmve”, ka shkruar Filipçe.

Vuçiq ka lindur në vitin 1955 ndërsa ka punuar si kompozitor, këngëtar dhe udhëheqës emisionesh.

Ai në opinion është bërë i njohur në kuizet “Pesë minutat tuaja”, “Njerëzit e lumtur”, “Vozitje me Vuçiq” dhe të tjera.