Në Maqedoninë e Veriut, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë zhvilluar këto ditë takime intensive në lidhje me qeverinë e re që duhet të formohet pas zgjedhjeve të 15 korrikut. Të dy partitë bëjnë të ditur se kanë shënuar përparim të madh në bisedime dhe se nesër (të martën) pritet një marrëveshje përfundimatare mes kryetarëve Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti.

Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilat janë angazhuar në bisedime për formimin e koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të 15 korrikut, bëjnë të ditur se është shënuar përparim në këto bisedime pothuaj se mbi të gjitha çështjet, por pa dhënë hollësi të tjera. Dy partitë përmes një komunikate njoftuan se një takim mes kryetarëve të partive, Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev pritet të mbahet të martën, “duke pasur parasysh nevojën e vënies së shpejt të institucioneve në veprim për t’u ballafaquar me sfidat shëndetësore dhe ekonomike që kanë të bëjnë me Covid-19”.

Sipas komunikatës, në takim pritet të miratohet një marrëveshje përfundimtare për një qeveri të qëndrueshme, “të përkushtuar, me një mandat katër vjeçar”.

Në ditët e fundit, përfshirë edhe sot, bisedimet janë zhvilluar në nivel të Sekretarëve të Përgjithshëm të LSDM-së dhe BDI-së, Lupço Nikollovski dhe Artan Grubi, teksa në një pjesë të medias janë përhapur zëra se dy partitë kanë rënë dakort për një model 3+1 të drejtimit të qeverisë, përkatësisht tre vitet e para kryeministri të ishte i Social-demokratëve ndërsa vitin e fundit posti i kreut të qeverisë t’i lihet integristëve, me kusht nëse pushteti do të zgjaste katër vjet. Por, këto zëra i kanë hedhur poshtë si të pavërteta eksponentë të Lidhjes Social Demokrate.

Nga ana tjetër, BDI-ja akuzon dy partitë e koalicionit, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për minimin e pozitës në bisedimet për qeverinë. “Opozita, sipas BDI-së, po endet korridoreve të LSDM dhe VMRO për të dështuar ideali kombëtar i shqiptarëve”. Ndërkaq, zyrtarë të Aleancës janë shprehur se “BDI-ja tashmë është pajtuar për të marrë pjesë në qeveri duke anashkaluar premtimet për kryeministrin shqiptar dhe se tani po kërkon mënyra për t’u arsyetuar para eletoratit të vet për misionin e dështuar”.

VMRO-DPMNE-ja, ndërkohë nuk flet më për synimet e formimit të një koalicioni qeverisës, ndërsa ajo po përgatitet të paraqesë një nismë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Presidentit Pendarovski për dhënien e mandatit zotit Zoran Zaev për forminin e Qeverisë, çka opozita maqedonase e quan si kundërkushtetuese, për shkak se socialdemokratët nuk kishin siguruar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh.

Vetë LSDM-ja me 4 deputetët e Lëvizjes Besa ka 46 vende në parlament dhe me 15 deputetët e BDI-së bëjnë shumicën e nevojshme prej 61 votash për ta miratauar kabinetin qeveritar. Në koalicion pritet të jetë edhe Partia Demokratike Shqiptare me një ligjvënës në parlamentin prej 120 vendesh. Por një koalicion i tillë megjithatë nuk konsiderohet i qëndrueshëm dhe qeveria e re, sipas disa analistëve, do të përpiqet të afrojë deputet të opozitës si maqedonase edhe shqiptare. Parlamenti i ri, ndërkohë ende nuk e ka zgjedhur kryetarin e tij.

Kryesuesi i Kuvendit, Talat Xhaferi deklaroi se do të caktojë vazhdim të seancës konstitutive sapo të marrë konfirmim se partitë i kanë zgjidhur dy çështjet e mbetura – zgjedhjen e kryetarit të Dhomës ligjvënëse dhe Komisionit për zgjedhje dhe emërime.

Thotë se nuk është dhe nuk ka ndërmend të jetë arsye për bllokimin e institucionit dhe se i ndjekë procedurat.

“Në momentin kur do të ketë propozim se janë zgjidhur çështjet lidhur me Komisionin për zgjedhje dhe emërime dhe kandidatin për kryetar të Kuvendit, pa dallim se kush do të jetë, obligim im sipas Rregullores është që të vazhdoj me seancën që të mund të përfundojnë ato pika. Unë në atë drejtim nuk bëj asnjë problem”, ka thënë Xhaferi në ditarin e TV Sitel.

Lidhur me mundësinë për kryeministër në rotacion ose kryetar të Kuvendit në rotacion, Xhaferi tha se është pako e marrëveshjes politike mes partive të cilat bëjnë shumicë dhe në këtë drejtim, siç tha, “nuk udhëhiqet nga çështjet personale statusore”.

“Puna është logjike. Prandaj ndahet mandat për përbërjen e Qeverisë dhe program për punën e qeverisë e cila parashtrohet deri tek Kuvendi. Nëse në ato 20 ditë negociata për përbërjen e qeverisë e kanë shumicën përkatëse parlamentare në afat prej 15 ditëve nga pranimi i propozim përbërjes dhe programit të Qeverisë, Kuvendi duhet të mbajë seancë dhe të zgjedhë qeveri. Nëse marrëveshja politike është e tillë, kjo nuk është kontestuese”, theksoi Xhaferi.

I pyetur nëse është optimist se deri në fund të javës është e mundur marrëveshje dhe vazhdim i seancës, Xhaferi nuk u përgjigj konkretisht, vetëm theksoi se në jetë çdoherë ka qenë optimist.

Ai mendon edhe se duhet të saktësohen dispozitat për atë kur është konstituuar Kuvendi, nëse jo në Kushtetutë si procedurë më e rëndë, atëherë në Rregulloren e kuvendit, që të mos ketë mosmarrëveshje në të ardhmen.

Talat Xhaferi javën e kaluar paralajmëroi se do të thirr vazhdim të seancës konstitutive ditën kur presidenti Stevo Pendarovski ia dorëzoi liderit të LSDM-së Zoran Zaev mandatin për formimin e qeverisë, por hoqi dorë nga qëllimi për shkak të obligimeve familjare, gjegjësisht pasi u bë me nip nga vajza.