Flamuri i Kosovës në EUROSTAT (Foto)

Institucioni kosovar që ka arritur të përmbushë kriteret dhe të bëhet pjesë e një institucioni të madh evropian, është Agjencia e Statistikave të Kosovës  (ASK). Ky institucion tashmë është pjesë e Eurostatit, e në faqen zyrtare të ofrimit të shërbimeve për të interesuarit është edhe vegëza me flamurin e  Republikës së Kosovës

Edhe pse me shumë pengesa, integrimi i institucioneve të veçanta të Kosovës në organizatat e ndryshme  rajonale dhe të BE-së, edhe më tej po vazhdon.

Njëra prej të cilave ka pasur sukses në këtë drejtim është Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Ajo tashmë është anëtare e Eurostatit, që nga viti 2013,  institucionit të vetëm të BE-së për mbledhje të informacioneve, raporton lajmi.net.

Për më tepër, flamuri i Kosovës tashmë është  i vendosur në faqen zyrtare të Eurostatit.

Kështu duket faqja e internetit e Eurostatit për ndihmë qytetarëve të vendeve të BE-së dhe rajonit.

 

Në ASK thonë se arsyeja e vendosjes së flamurit të Kosovës krahas vendeve të tjera ë BE-së dhe rajonit është ngritja e  Qendrës për Mbështetje në shumë gjuhë për përdoruesit e statistikave evropiane.

“Nëpërmjet saj, lejohet  parashtrimi i pyetjeve në gjuhën, që flitet në shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet potenciale për anëtarësim”, thonë në përgjigjen zyrtare për lajmi.net, nga zyra për media e ASK-së.

“Në mesin e tyre, pjesë e këtij sistemi, që nga viti 2013, është edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe ofron mbështetje për përdoruesit e statistikave evropiane në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze”, thonë në ASK.

Pra, kjo lidhëz, përveç që dërgon të dhëna kombëtare në Eurostat, ajo i ndihmon shfrytëzuesit e saj edhe në gjetjen e këtyre të dhënave, por edhe të dhënave të tjera të shteteve anëtarë të BE-së.

“Vegëza ku është i vendosur flamuri i Republikës së Kosovës ju dërgon direkt në Qendrën për Mbështetje për statistika evropiane në gjuhën shqipe, e që menaxhohet nga ASK-ja, në bashkëpunim të ngushtë me Eurostat-in”, shpjegojnë në ASK-së, raporton lajmi.net.

“Aty do të gjeni një “interface” në gjuhën shqipe, ku mund të bëni një kërkesë për llojin e të dhënave, që keni hasur në vështirësi për t’i gjetur në ueb-faqen e Eurostat-it”.

Në ASK thonë se ekspertët për mbështetje ndaj përdoruesve, janë ata pastaj që asistojnë për gjetjen e informacionit, lidhur me të dhënat e BE-së dhe informacione të tjera, që janë në dispozicion në ueb-faqen e Eurostat-it.

“Gjithashtu, ata do t’ju ndihmojnë në verifikimin e të dhënave, ju sigurojnë informacione shtesë mbi metodologjinë dhe ndihmojnë në zgjidhjen e çështjeve teknike, duke ofruar përgjigje  në gjuhën shqipe, brenda 5 ditëve të javës”, thonë nga ASK-ja për lajmi.net.

ASK-ja sqaron se për të pasur qasje në këtë vegëz, së pari duhet krijuar një llogari, e pastaj të qaseni.

“Në vegzën e flamurit të Kosovës, nuk ka publikime por vetëm forma, ku mund të bëni kërkesë nëse keni hasur në vështirësi në gjetjen e informacionit në ueb-faqen e Eurostat-it”, shpjegojnë nga ASK-ja