Komiteti për Energjetikë i Lëvizjes Vetëvendosje! (VV), të mërkurën ka mbajtur takim me punonjës, sindikalistë e inxhinierë të sektorit të energjetikës së Kosovës.
Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ka folur për dëmet e marrëveshjeve me Serbinë. Ai ka theksuar se nëpërmjet këtyre proceseve të gjitha ndërhyrjet ilegale të Serbisë janë konsoliduar dhe formalizuar, duke filluar nga policia e gjyqësia, shëndetësia e arsimi e deri tek energjetika dhe telekomunikacioni. “Qeveria e Kosovës është dakorduar me Serbinë që të ketë ndërmarrje të ndarë etnikisht për shpërndarjen e energjisë elektrike. Marrëveshja për Energjinë me Serbinë, privatizimi i KEDS-it dhe marrëveshja e mirëkuptimit me ‘Contour Global’ të gjitha këto të bëra nga të njëjtit aktorë, pra pushteti i deritashëm, janë rruga drejt shkatërrimit ekonomik të vendit, zbehjes së shtetësisë dhe nëpërkëmbjes së punëtorëve tanë. Serbisë po ia japin një pjesë të rrjetit e resurseve tona. Me KEDS-in ia dhanë asetet e rrjetit tonë kompanisë private, me ‘Contour Global’ po duan që edhe kapacitetet e reja energjetike t’ia vënë në dispozicion një kompanie private. Ku nuk është e Serbisë privatizohet e ku janë komunat me shumicë serbe mbetet shtetërore, por nën kontroll të Serbisë. Kjo është as më pak as më shumë një katastrofë që duhet ndalur sa më parë”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se lejimi i kompanisë serbe “Elektrosever-it” që të operojë brenda territorit të Republikës, përveçse është kthim mbrapa, është edhe lëshim pe ndaj Serbisë, të cilin Qeveria e Kosovës po mundohet ta paraqesë si një fitore, duke thënë se tashmë Serbia e njeh pavarësinë e KOSTT-it. “Kjo është e pavërtetë sikur që janë të pavërteta edhe deklaratat se ‘Elektrosever’-i s’do të ketë kompetenca për shpërndarjen e energjisë. Fillimisht është thënë që ky operator s’i ka në dispozicion asetet sa i takon rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, por në marrëveshjen teknike të 2013 edhe atë politike të 2015 vërehet qartë se ‘Elektroseveri’-t të Serbisë i mbarten këto kompetenca. Thënë konkretisht Serbia do të ketë kontrollin mbi resurset e shpërndarjen të energjisë elektrike në Kosovë. Marrëveshja për energjetikë sikur ajo për telekomunikacionin dhe ajo për ‘Zajednicën’, secila të nënshkruara më 25 gusht, janë refuzuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës në peticionin që kemi organizuar si opozitë e bashkuar vitin e kaluar. 205 mijë qytetarë nënshkruan kundër këtyre marrëveshjeve. Në këto rrethana, në të cilat Serbia po bëhet sovrani i dytë në vend për shumë çështje, është e jashtëzakonisht e rëndësishme që të bashkohemi në kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve dhe në kundërshtimin në përgjithësi të dialogut me Serbinë”, ka thënë Ymeri.
Kurse Naim Hoxha, drejtuei i Komiteti për Energjetikë, ka deklaruar se qeveritarët kanë pranuar të negociojnë me një palë që mund të na shoh në çfarëdolloj forme tjetër, përveçse jo si shtet. Hoxha ka theksuar se KOSTT-i është operator i transmisionit për territorin e Republikës së Kosovës dhe kjo është tejet e rëndësishme për shtetësinë tonë. “Në marrëveshjen me Serbinë për energjetikë kompanisë serbe ‘Elektrosever’-it, Mustafa e Thaçi ia kanë njohur e drejtën e transmisionit të energjisë elektrike, që përbën një problem serioz të përmasave aq sa rrezikon ta zhbëjë sistemin energjetik të Kosovës”, ka thënë ai.