Ministri i jashtëm serb Ivica Dacic ka hedhur poshtë deklaratat e diplomatit amerikan Hoit Brajan Ji se Serbi apo qëndron ulur në dy karrige. Në një deklaratë pëlr mediat në Beograd Dacic tha se Serbia do të vazhdojë punën në interesin e saj kombëtar pavarësisht asaj që thonë të tjerët.
Ministri i jashtëm serb shtoi se vendi i tij nuk është i interesuar për karrigen e një shteti tjetër dhe as ka dy karrige, por ka vetëm një, atë të Serbisë. Duke komentuar deklaratat e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit se Serbia duhet të zgjedhë një anë – ai tha se kjo ishte e pakuptimtë. Sipas tij disa njerëz, përfshirë dhe përfaqësues të departamentit amerikan të shtetit kanë parë shumë histori lufte dhe fantashkence.
Ji ndodhej në fillim të kësaj jave në Serbi ku mori pjesë në një samit ekonomie para takimit me presidentin serb dhe zyrtarë të tjerë të lartë në vend. Ji u shpreh i shqetësuar për faktin se Serbia po ecën me njërën këmbë drejt Bashkimit Europian dhe me tjetrën nga Rusia.
Diplomati amerikan u shpreh prerë se vendet të cilat duan të jenë pjesë e Bashkimit Europian duhet ta tregojnë qartë këtë dëshirë. Ji e përsëriti këtë deklaratë dhe të enjten në një intervistë për VOA kur tha se mund të shtonte që mund të ulesh në dy karrige por sigurisht jo në të njëjtën kohë