Nico Rosberg është piloti i fundit gjerman që ka pilotuar makinën Mercedes, duke u shpallur kampion bote në Formula 1 në vitin 2016. Në gjurmën e tij mund të ecë Sebastian Vettel, 4 herë kampion bote dhe që në fund të këtij viti do të largohet nga Ferrari.

Prej kohësh është përfolur se Vettel mund të kalojë te Mercedes, ndërkohë që orët e fundit është Toto Wolff, drejtori sportiv i makinës gjermane ai që ka konfirmuar zërat.

“Një pilot që është shpallur 4 herë kampion bote nuk mund t’i thuash jo. Nuk i mbyllim derën askujt. Kjo është një situatë që monitorohet gjithnjë nga ne. Kemi dy pilotë, por mund të ndodhë që njëri prej tyre të largohet. Natyrisht që shohim edhe tek pilotët e rinj”, tha Wolff.

Ai pranon se fakti që Vettel është gjerman është i rëndësishëm. “Vettel është në një pozitë të mirë për të ardhur këtu. Është gjerman dhe pëlqehet si opsion. Gjithsesi, do të flasim për këtë gjë në momentin e duhur”, tha Toto Wolff./Agjencitë