Fotografitë e këtij koleksioni, të marra nga faqja e internetit të United States National Archives and Records Administration (NARA), u kryen në Luftën e Dytë Botërore nga fotografi gjerman i luftës, Georg Westermann, i cili shoqëroi divizionet e ndryshme të Waffen-SS-it në Ballkan, njofton Klan Kosova.

Nga nëntori 1943 deri në prill 1944 ishte në Kroaci dhe në Bosnje me Divizionin Hanxhar, dhe nga janari 1944 me Divizionin Princ Ojgen.

Në maj të vitit 1944, Westermanni ndodhej në Kosovë ku fotografoi një fushatë rekrutimi për divizionin e ri shqiptar, të ashtuquajturin SS Skënderbeu.

Ky divizion, i udhëhequr nga komandanti nazist August Schmidhuber (1901-1947), u krijua vonë.

Rekrutimi filloi në shkurt 1944 dhe divizioni mori emrin zyrtar vetëm në gusht 1944.

Nuk arriti kurrë numrin e plotë të efektivëve të parashikuar. Divizioni Skënderbeu u shpërbë në nëntor 1944. Deri në atë kohë pjesa më e madhe e rekrutëve ishte arratisur dhe kthyer në shtëpi. Të rinjtë punëkërkues në këto pamje duket se nuk hamendësojnë se çfarë i pret.

Fotot e tjera tregojnë festat për kthimin në Kosovë të të burgosurve politik shqiptarë – burrat të cilët kishin shërbyer në armatën jugosllave, ishin marrë peng nga forcat gjermane në vitin 1941, dhe në maj 1944 me në fund u liruan dhe u kthyen në Kosovë, me kusht që ti bashkëngjisin divizionit Skënderbeu ose forcave të tjera progjermane në “luftën kundër bolshevizmit”.