Pas vrasjes së luftëtarit Azem Galica në korrik 1924, bashkëluftëtarja dhe gruaja e tij Shota, do të largohet për në Shqipëri.

“Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjindem në katundin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetimë me vedi. Janë fëmijët e luftarëve të vram për clirim të Kosovës. Jam e shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me fëmijët jetim” (sic.), është kërkesa që ajo ia drejton Ahmet Zogut, njeriut më të fuqishëm në Shqipëri.

Më 3 korrik 1927, Shote Galica vdesë në varfëri në Fushë Krujë.

Fotoja që do të shihni më poshtë është publikuar për herë të parë më 1985, në edicionin special të Rilindjes, që shënonte 40 vjetorin e themelimit të kësaj gazete.

Në të shihet Shote Galica në Shqipëri, menjëherë pas vrasjes së Azemit. Foton e ka bërë në korrik 1924, Ali Kelmendi nga Peja, i cili në qershor kishte mbështetur revolucionin e Fan Nolit dhe përmbysjen e Ahmet Zogut nga pushteti. Një vit më vonë Kelmendi do të shkojë në Bashkimin Sovjetik për t’u bërë “baba” i komunistëve shqiptarë. /Telegrafi/