Aktivistë të forumeve rinore të koalicionit ASH – AAA i kanë vendosur një pllakë në shqip zyrës së noterisë të Naser Zyberit, kandidatit për kryeministër të BDI-së.

Ja presskonferenca dhe aktiviteti i mbajtur:

Jemi sot këtu para zyrës së noterit dhe njëherit kandidatit për kryeministër nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Naser Zyberi për të shpërfaqur hipokrizinë dhe kontradiktat të cilat i karakterizojnë të lartpërmendurit në këtë fushatë zgjedhore.

Përderisa Naser Zyberi dhe partia që ai përfaqëson mundohen të paraqesin veten si patriotë të pashoqë, kemi ardhur këtu tek zyra e punës së Naser Zyberit për t’ju dëshmuar me fakte nga zyra e tij që partia që Naser Zyberi përfaqëson është pikërisht ajo parti e cila nuk ia mundësoi Naser Zyberit ta shkruaj emrin e tij në alfabetin shqip, prandaj ai detyrohet që vulat dhe pllakatën e noterisë t’i shkruaj në alfabetin cirilik.

Në anën tjetër siç duket patriotizmi i Naser Zyberit është i lidhur vetëm për pozita dhe karrige të kryeministrit dhe jo pas çështjeve shqiptare, sepse po të kish qenë ndryshe atëherë Naser Zyberi të paktën do duhej të ishte angazhuar që emrin e tij nëpër vula dhe në zyrën e tij ta ketë të shkruar në alfabetin e gjuhës së tij amtare.

E meqë Naser Zyberi nuk e bën dot këtë, kemi vendosur që ne t’ia shkruajmë emrin në gjuhën shqipe sepse çdo shqiptarë në këtë shtet e meriton këtë, edhe në rastet kur ata nuk janë të interesuar ta kenë gjuhën shqipe zyrtare siç është rasti me Nazer Zyberin dhe funksionarët e BDI-së!