Për më shumë se një muaj, banorët e fshatit Rramanli përballen me mungesë të ujit. Ky problem sipas tyre nuk është i ri por i kahmotshëm, pasi çdo vit muajt e nxehtë të verës dhe temperaturat e larta i kalojnë me mungesë të kushtit elemantar jetik, ujit. Banorët e këtij fshati thonë se ky është viti i tretë radhazi që ata gjatë verës ballafaqohen me këtë problem.

“Posaçërisht këto dy ditët e fundit, dihet se temperatura është mbi 40 gradë, vetë fshatarët e dijnë se si përballen me mungesën e ujit”, tha një banor i fshatit.

“Problemi i ujit është i kahmotshëm tek ne edhe pse është i papijshëm, por për larje e kështu punësh ka qenë i mirë, se ne gjithmon ujë për të pirë mbushim në Kumanovë. Si kanë hyrë këta të BDI-së në qeveri, e kanë marrë ujin e gjithçka tjetër”, deklaroi një banor tjetër.

Fajtor sipas tyre për këtë gjendje është bashkësia lokale, e cila ka lejuar që problemi të mos zgjidhet për gjithë këtë kohë. Madje njëri pre tyre, ish i punësuar tek ujësjellësi tregon se ai ka qenë dëshmitarë se banorët kanë paguar çdo faturë, por që paratë, sipas tij, nuk kanë figuruar askund dhe pikërisht për këtë ai është nxjerrë nga puna.

“Kam qenë i punësuar tek ujësjellësi në këtë fshat, për tre muaj gjithë fshati e kanë paguar me rregull ujin. Ka tre-katër vite me radhë, kryetari me gjithë bashkësinë i vjedhin paratë. Unë i kam dërguar me argumente dhe për këtë arsye më kanë larguar nga puna”, tha njëri nga banorët e fshatit Rramanli.

“Bëjmë apel deri tek kryetari i Bashkësisë Lokale, nga Këshilli Komunal dhe organet tjera kompetente që të marrin masa urgjente në zgjidhjen e këtij problemi që na tangon neve si qytetar”, tha një banor tjetër i fshatit për TV SHENJA.

Edhe amviset ankohen për këtë gjendje duke shprehur shqetësimin e tyre se pasi që gjendemi në prag të Festës së Bajramit përshkak të mungesë së ujit nuk do të mund ti kryejn obligimet e tyre shtëpiake.

“Nuk kemi ujë, çdoherë në këtë kohë na mungon ujë pikërisht në momentin që na duhet më së shumti. Tash edhe muaji i Shenjtë i Ramazanit, është afruar Bajrami, duam të pastrojmë, lajmë, por ujë nuk ka”, deklaroi një amvise e fshatit.

Për të parë burimin nga i cili fillon ky probelm vizituam edhe trafën e fshatit e cila furnizon pompat e ujit me rrymë, të cilës persona të panjohur i kanë vjedhur copëzat e bakrit brenda saj dhe për këtë shkak ajo tani është jo funksionale.

“E marin, e vjedhin, por pyetja është se asksuh nuk merr masa, kemi kryetar fshati, këshill. Kush i grumbullon paratë, ku shkojnë paratë, nuk e dimë, nuk kemi aspak dijeni, por paratë grumbullohen, sepse fshati jep para”, tha një banor.

Ata bëjnë apel për zgjidhjen e këtij problem për një afat të shkurtër pasi, pasi sipas tyre do të detyrohen të ndërmarrin masa edhe më radikale. /SHENJA/