A do të përfundojë me sukses për VMRO-DPMNE, receta e Velesit, që të fitojë në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Sajtet me lajme të rrejshme të cilat i krijuan disa të rinj nga Velesi i kanë sjellë vota kryetarit të ri të Amerikës. Pas përfundimit të zgjedhjeve, analiza e Baz Fid Njuz ka treguar se lajmet e rrejshme gjatë tre muajve të fundit të fushatës në SHBA kanë ngjallur më tepër interes te publiku se sa lajmet e medieve të etabluara si Nju Jork Tajms, Uashington Post NBC Njuz.

NOVA ka zbuluar dy portale të regjistruara në vendet fqinje. Saznajemo.rs  në Serbi dhe Alo.com.hr në Kroaci. Këto sajte janë regjistruar më 15 nëntor, ndërkohë që kanë publikuar tre artikuj më përmbajtje të ngjashme për Zaevin, Sorosin dhe Hilari Klinton, ndërsa tekstet e tyre me të madhe po shpërndahen nga anëtarë ose simpatizantë të VMRO-DPMNE. Prapa këtij portali qëndron firma Nju Media Enterprajz, e regjistruar në rrugën “Vasil Gjorgov” nr. 24 në Kapishtec, kurse pronar është Gjorgji Pop-Gjorgjiev nga Berova.

Filip Petrovski

Filip Petrovski

Pop-Gjorgjiev është i punësuar në marketingun e portalit pro qeveritar Puls 24, ndërsa paraqitet si administrator edhe në sajte tjera. Por, hulumtimi i NOVA ka treguar se në të vërtetë pronari i parë i firmës Nju Media Enterprajz ka qenë Filip Petrovski, drejtori i Arkivit Shtetëror dhe njeriu i cili jo formalisht është i ngarkuar, në VMRO-DPMNE, për fushatë mediale në rrjetet sociale.

NOVA ishte në adresën “Vasil Gjorgov” nr. 24, por fqinjët thonë se për herë të parë dëgjojnë se aty ka ndonjë firmë. Ndërkohë që apartamenti fqinj, është i njëjti i cili në vitin 2014 ishte aktual për grupin e votuesve të regjistruar nga Pusteci. Nëse u bënë të famshëm me votuesit nga Pusteci, tani i pret edhe një rast për famë të re si lokacionin i selisë për krijimin e portaleve për lajme të rrejshme që do të kontribuojnë për një fushatë të pistë.

GËNJESHTRA NË SHËRBIM TË PARTISË

Zaevi do të federalizojë Maqedoninë për ryshfet prej 10 milionë euro. Ky ishte lajmi i parë i rrejshëm i publikuar në portalet e krijuara rishtazi. Ndonëse i rrejshëm, lajmi ndikoi që pasionet partiake të arrijnë pikën e vlimit dhe të shitet si i saktë.

Po këto nuk janë portalet e vetme. NOVA TV mëson se po përgatiten edhe portale tjera që së shpejti do të aktivizohen.

Një prej tyre është regjistruar më 14 nëntor. Është portali Javno.mk, ndërsa sipas dokumenteve, nga Regjistri qendror, prapa këtij sajti qëndron Shoqëria për marketing dhe shërbime NJU MEDIA ADVERTAJZING SHPK nga Kriva Pallanka. Pronar i firmës është Daniel Jakimovski, i punësuar në Qeveri, ndërsa është vëllai i Emil Jakimovski zëdhënës në Regjistrin qendror si kuadër i VMRO-DPMNE.

EDHE BDI ME STRATEGJI TË NJËJTË

Strategji të njëjtë sikurse VMRO-DPMNE po aplikon edhe partia simotër BDI. NOVA ka zbuluar disa portale të reja në gjuhën shqipe të cilat duhet të tërheqin votuesit shqiptarë për BDI-në. Pjesa më e madhe e tyre janë regjistruar vetëm para fillimit të fushatës. (Info.shqip; Flaka.info; Albportal.mk). Portalet kanë lidhje me familjarë të funksionarëve të BDI-së.

Eksperti Darko Buldioski thotë se strategjia e lajmeve të rrejshme nuk është naive. Për shkak se para kësaj është treguar e mirë strategjia që një lajm i krijuar në ndonjë nga portalet pro qeveritare, pastaj me ton bombastik të transmetohet në televizionet nacionale.

VMRO-DPMNE si parti është e njohur për makinerinë propaganduese dhe metodat e ndryshme me të cilat shërbehet në medie për të ndikuar në mendimin e  publikut. Në këto zgjedhje do të përpiqet të përdorë recetën e Velesit, për të ndikuar te qytetarët me lajme “nga jashtë”, sepse për shkak të marrëveshjes së Përzhinos mediet maqedonase do të jenë nën një monitorim special. Por kur mediet nuk janë në Maqedoni, atëherë edhe përgjegjësia nuk i kap./transmeton portalb.mk