Nga Xhemaludin IDRIZI

Disa vërejtje gjuhësore në librin Gjuha shqipe dhe leximi 5 për shkollën fillore nëntëvjeçare, autorë Xhezmi Rustemi dhe Resul Bekteshi dhe recesentë Dr. Ismet Osmani – kryetar, prof. Ibe Mustafa – antare , Merita Koxhaxhiku – Kolçi – antare ( Duhet shkruar anëtare jo antare, pra me zanoren –ë.)

Duke shfletuar tekstin shkollor Gjuha shqipe dhe leximi 5 botuar në vitin 2010 më ranë në sy një numër i caktuar lëshimesh gjuhësore në të. Si do që të jenë bërë, qofshin lëshime teknike apo tjetër fare, nuk guxojnë të mbeten të tilla. Gjuha mësohet drejt që në klasat e para të shkollës fillore. Nuk guxon të jepen dilema në tekst, ashtu siç janë dhënë në disa raste në librin në fjalë. E kam trajtuar vetëm pjesën metodiko – didaktike. Me qëllim nuk kam bërë klasifikimin e lëshimeve gjuhësore për faktin që çështjet të paraqiten me radhë, në çdo faqe të tekstit. Shkojmë me radhë.
Në faqen 19 në fjalinë – Poeti në këtë poezi me mjeshtëri ka përdor figurën e krahasimit. , folja përdor në funksion të pjesores nuk është përdorur konform normës gjuhësore – përdorur.
Në faqen 22 …… dhe i quajmë pjesë të ligjeratës. Fjala ligjeratës duhet të shkruhet ligjëratës. (Këtë formë e përdor gati në tërë tekstin, përveç në fund.)
Në faqen 24 …. flamurit, heronjëve etj. i quajmë poezi lirike patriotike. – fjala heronjëve shkruhet pa zanoren –ë heronjve.
Në faqen 26 në fjainë -Lexoni në libër tregimin “ Libri mbi princin e lumtur “ dhe hartoni e tekstit sipas shembullit të sipërm. – mungon një fjalë që mund ta sqarojë detyrën … hartoni e tekstit….
Në faqen 29 mbiemri të padrejtë është shkruar – të pa drejtë, si fjalë e ndarë.
Në faqen 30 – Shpata, shqiptari, zog, leqe, trima, rreze, prind etj. janë emra të përgjitshëm kurse: Shqipëri ,Tivar , Prevezë – janë emra të përveçëm. Te fjala të përgjithshëm me siguri ka lëshim teknik , i mungon h-ja për të formuar fonemën –th.
Në faqen 30 në fjalinë – Në fletoren e detyrave të shtëpisë shkruaj paragrafin e parë të tekstit “ Sytë e shkollës” dhe klasifikoj emrat e përgjitshëm dhe të përveçëm në kolona të veçanta! – Këtu folja klasifikoj duhet të qëndrojë në mënyrën dëftore të kohës së tashme veta e dytë njëjës në formën klasifikoji.
Në faqen 32 – Sharton – në një degë të pemës së egër vëndojmë një degë nga një pemë tjetër që duam të fitojmë nga ai dru. Këtu fjala vëndojmë duhet të shkruhet vendojmë, në vend të ë-së –e.
Në faqen 32 në fjalinë – Ritregoni në mënyrë të lirë, kuptimin e këti teksti. – kemi formën rasore të përemrit dëftor ky – e këtij, jo këti……
Në faqen 35 gjatë sqarimit të fjalëve të reja si p.sh. murgu – njeri i vetmuar,që bën një jetë të mbyllur,që rri në manastir ( Fjalia duhet të nisë me shkronjë të madhe dhe të përdoret pika , ashtu siç e jep edhe FGJSSH – murgu – Njeri i vetmuar,që bën një jetë të mbyllur,që rri në manastir.
Në faqen 35 në fjalinë – Pasi të lexoni thëniet dhe shprehjet e mençura, përgjigjuni këtyre pyetjeve në fletore: – pjesëzën të duhet zëvendësuar me t’i ngaqë këtu kemi një trajtë të shkurtër të përemrit vetor.
Në faqen 37 sqarimi i fjalës pa lotë , duhet të shkruhet pa lot, sepse emri lot është në numrin njëjës.
Në faqen 37 në fjalinë – Kjo arrihet kur rrokjet e fundit të vargjeve përputhen në rimë dhe ngjajshmëri, krijojnë muzikalitet dhe harmoni tingujsh. – fjala ngjajshmëri shkruhet ngjashmëri, pa –j.
Në faqen 41 në fjalinë – Atë ia drejtojmë prindit, shokut, mikut, por mund t’ia drejtojmë edhe një institucioni shtetërorë. – fjala shtetërorë është shkruar gabimisht me –ë,duhet të shkruhet pa zanoren –ë në fund të fjalës – shtetëror,sepse këtu përcakton një emër në numrin njëjës.
Në faqen 41 në fjalinë – Nxënësit e klasës i ndani në dy grupe dhe secili grup ka për detyrë të shkruaj një letër drejtuar: – lidhorja të shkruaj duhet të shkruhet me – ë, pra të shkruajë.
Në faqen 42 në fjalinë nxitëse – Nxireni vetë porosin e kësaj poezie . – vërehen dy lëshime gjuhësore, nxireni dhe porosin, e para shkruhet nxirreni , pra me shkronjën -rr ; dhe e dyta porosinë, pra me – ë në fund të fjalës.
Në faqen 43 në fjalinë – Lakimi i parë: përfshin emrat e gjinisë mashkullore që marrin mbaresën – i p.sh. Lapsi , mësuesi , shkumsi etj. – fjala shkumësi duhet të shkruhet me shkronjën –ë, shkumësi e jo shkumsi.
Në faqen 43 në fjalinë – Visari u përkul e kapi zogun dhe filloi ta ledhatoj nga koka. – kemi të shkruar lidhoren e foljes ledhatoj pa –ë në të tashmen të vetës së tretë njëjës.
Ja si shpjegohet çështja e lakimit në faqen 45 – Kështu lakohen edhe emrat: peri, freri, druri, mulliri, dushku, breg, shtogu, qiri, njeriu, ideja, foleja, shtëpi, lule etj. – Merren emrat në trajtë të shquar, jo disa në trajtë të shquar disa në trajtë të pashquar siç është rasti këtu me fjalët : breg, shtëpi, lule.
Në faqen 46 titulli i novelëzës LULI I VOCËR është shkruar me – r, ndërsa duhet të shkruhet me – rr. Njësoj e kemi edhe në faqen 47 – Novelëzën “Luli i vocër” e ka shkruar shkrimtari shqiptar Migjeni ( 1911-1938 ).
Fjalisë nxitëse në fund i është vënë pikëpyetje (?) në vend të pikëçuditëses – Tregimin përshtateni në gjuhën standarde në fletore? (faqe 47)
Në faqet 49 dhe 50 hasen këto dy fjali: Mbiemrat cilësor dhe marrëdhëniorë (faqe 49)
MBIEMRI CILËSORË DHE MARRËDHËNIORË (faqe 50) . Këtu vërehet lëshim gjuhësor në fjalën cilësor – mbiemrat cilësor – duhet mbiemrat cilësorë ( kemi shumësin) ; mbiemri cilësorë ( duhet mbiemri cilësor – kemi numrin njëjës.)
Në faqen 49 vërehet lëshim gjuhësor , të shkruarit e drejtë të lidhores së kohës së tashme të vetës së tretë njëjës – Cilësinë e një sendi mbiemri mund ta tregoj drejtëpërdrejt ose … (duhet ta tregojë)
Në faqen 50 kemi këtë formulim: Mbiemri: shallë i kuq , është në gjininë _______________dhe në numrin___________________ . Emri shallë është i shkruar me – ë, duhet të shkruhet pa –ë – shall, sepse ky emër është i gjinisë mashkullore e jo i gjinisë femërore.
Devijim gjuhësor me përdorimin e ë-së kemi edhe në fjalën – gjinin në fjalinë: 2. Në këto fjali gjeni mbiemrat dhe tregoni numrin dhe gjinin e tyre. (faqe 51) (Duhet të shkruhet gjininë, emër i gjinisë femërore.)
Po kështu hasim edhe në fjalinë – Qytetarët e tu janë të urtë, të vyeshëm dhe krenar. (faqe 51) (Fjala krenar duhet të shkruhet me –ë krenarë , sepse përcakton emër në numrin shumës, këtu qytetarët.)
Në faqen 55 në fjalinë – Kush e kishte vra atë ? , pjesorja e foljes vras bën vrarë e jo vra.
Në faqen 55 sërish kemi devijim gjuhësor në të shkruarit e lidhores të kohës së tashme të vetës së tretë njëjës -Pse Hajrija donte ta vras të birin në djep ? Duhet të shkruhet …ta vrasë.
Në faqen 57 në fjalinë – Nxënësit duhet të përgaditen për të shkruar një tekst. Këtu fjala përgaditen duhet të shkruhet përgatiten.
Në fjalinë : c) Çfarë teksti dëshiron të shkruaj ? (faqe 57) , lidhorja e foljes shkruaj në kohën e tashme veta e tretë njëjës shkruhet të shkruajë, pra me –ë , ashtu siç u theksua në shumë raste të mësipërme.
Në fjalinë : Prej 14 nëntor i vitit 1908 e deri më 22.XI. u mbajt Kongresi i Alfabetit të shqipes. – vërehet përdorimi i nyjes së përparme –i para emrit vitit, ndërsa duhet të përdoret nyja –të, të vitit….
Në sqarimin e pjesores së foljes vërshëllej – vërshëllyer – fishkëllues (faqe 67) vërehet se bëhet me anë të mbiemrit fishkëllues, ndërsa duhet të sqarohet me foljen fishkëllej, fishkëllyer.
Në fjalinë – Tani pas pesëqind vjetësh ku gjindet “ Dëllinja e Skëndërbeut “? (faqe 68) , fjala gjindet duhet të shkruhet gjendet.
Në fjalinë nxitëse – 2.Kush mungonë këtë orë mësimi? (faqe 70), folja mungonë duhet të shkruhet pa –ë në fund mungon.
Në fjalinë – Fjalët e hijëzuar janë përemra pyetës. (faqe 70), duhet të bëhet përshtatja e përcaktorit në gjini, andaj duhet të shkruhet fjalët e hijezuara, gjithashtu në vend të ë-së të shkruhet –e, jo hijëzuar – po hijezuara.
Sqarimi i fjalës koklavitur – ngatruar (faqe 72) duhet të shkruhet ngatërruar, -ë ndërmjet t-së dhe rr-së.
Në fjalinë – Komentoni me fjalë tuaja takimin e vogëlushit me të huajin. (faqe 76), duhet të shkruhet me fjalët e jo me fjalë.
Në tekstin e shkruar më poshtë, çfarë tregojnë fjalët e hijëzuara? (faqe 77):
folja erdhi tregon të tashmen. (faqe 77), erdhi është forma e foljes vij në kohën e kryer të thjeshtë veta e tretë njëjës dhe jo e kohës së tashme; folja ta jap tregon të ardhmen. (faqe 77), jo nuk e tregon të ardhmen, që ta tregojë të ardhmen duhet të përdoret edhe pjesëza –do, do ta jap.
Në fjalinë – Kush nuk punon në rini nuk ka paq në pleqëri. (faqe 79), fjala paq shkruhet me –e në fund , paqe.
Në fjalinë – Hana te djelën do të zgjohet më vonë. (faqe 82), fjala të dielën është shkruar me –j , të djelën. Po kështu edhe nyja te të shkruhet të, sepse ashtu na del të kryejë funksionin e parafjalës në rasën emërore.
Në fjalinë – Kush i ndihmoi Mujit për të gjetur tufën me lop dhe të bëhet i fortë ? (faqe 90), fjala lopë është shkruar lop pa –ë.
Në fjalinë – Mësimi fillon në ora tetë, prandaj të gjithë duhet të jenë në shkollë. (faqe 91), në vend të në ora …duhet të qëndrojë në orën….. ,rasa kallëzore me parafjalë.
Në fjalinë – Në romanin për fëmijë shkrimtari bënë fjalë për ngjarje interesante që te fëmijët zgjojnë interesim dhe nxisin kureshtjen e tyre. (faqe 97), folja bëj në kohën e tashme veta e tretë e dëftores është bën e jo bënë, jo me –ë në fund.
Në fjalinë : Çka kuptoni me shprehjenë? (faqe 101), vërehet devijim gjuhësor në fjalën me shprehjenë, që duhet të shkruhet pa –ë në fund të fjalës, pra me shprehjen.
Në faqen 102 trajtohet njësia mësimore : Fjalët me kuptim zvogëlues dhe përkëdhelës. Këtu thuhet se prapashtesat më të shpeshta me kuptim përkëdhelie e zvogëlimi janë: -th Prapashtesa -th u shtohet emrave mashkullorë, si p.sh. Birth, Djalëth Ishullth Kryeth Vëllimth. Këtu vërehet një sqarim i paqartë. Asnjëra nga këto fjalë nuk mund të marrë prapashtesën – th. FGJSSH nuk i ka këto forma.
Prapashtesa – zë u shtohet emrave femërore, si p.sh Folezë, Portëz, (faqe 102), pra fjalët folezë dhe portëz nuk mund të marrin prapashtesën –zë, -z, nuk gjenden në fjalorin e shqipes, andaj nuk mund të sqarohet elementi zvogëlues me këto shembuj …….
Mandej Qepushkë (faqe 102) – duhet qepujkë – QEPUJKË f. bot.1. Qepë e vogël që rritet nga fara dhe që përdoret për t’u mbjellë ose për ushqim. Qepujka të regjura. Ngastër me qepujka.
2. Qepore e vogël e disa bimëve barishtore. Bimë me qepujka. FGJSSH)
Në formulimin e mëposhtëm: a) Gjatë orës letrare një nxënës i tha poetit: “ Poezitë tua më pëlqejnë shumë, prandaj i lexoj me një frymë” , nuk ka pikë. (faqe 108), ndërsa në tjetrin e përdor pikën b) Gjatë orës letrare një nxënës i tha poetit se poezitë e tij i pëlqejnë shumë dhe i lexon me një frymë. (faqe 108)
Në fjalinë: “ Artani është shokë i mirë ”- tha Genci. (faqe 108) , fjala shok është shkruar me –ë, shokë, duhet të shkruhet pa –ë, shok.,sepse këtu është në numrin njëjës.
Nuk ka shenjë pikësimi edhe në fjalinë: I panjohuri e pyeti djaloshin se në cilën shkollë mëson (faqe 108)
Në tri fjalitë : 1.”Kafshatë që skapërdihet është or vëlla mjerimi” ka thënë Migjeni 2. – Kafshatë që skapërdihet është or vëlla mjerimi – ka thënë Migjeni 3. Migjeni ka thënë:” Kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla mjerimi”. (faqe 111), vërehet fjala s’kapërdihet të shkruhet dy herë skapërdihet dhe në rastin e tretë s’kapërdihet, me pjesëzën mohuese s’ që është ekuivalente me pjesëzën nuk.
Në tri fjalitë në vijim nuk përdoren shenjat e pikësimit. 1. Punë, punë natë e ditë ka thënë Naimi 2. Populli thotë shoku i mirë njihet në rrezik 3. I panjohuri e pyeti vogëlushin se në cilën lagje banon ( faqe 111)
Në ligjëratën e drejtë pjesa përmendëse shkruhet me thonjëza, ose fillon me vizë dhe mbaron me vizë. Shembujt 1,2 dhe 3 janë pa shenja pikësimi në fund. (faqe 111)
Në ligjëratën e zhdrejtë përdoret pikësimi normal, sipas llojit të fjalisë, pra pika, pikëpyetësi, pikëçuditësi etj. (faqe 111) Këtu përdoren termet pikëpyetësi dhe pikëçuditësi, që këto forma nuk përputhen me normat gjuhësore të shqipes , pra duhet të qëndrojë pikëpyetja dhe pëkëçuditja.
Në shpjegimin në vijim -Por emrat e përgjithshëm shkruhen me shkronjë të vogël p.sh rruga,….,sheshi…..,hotel…..,kinema…., Njerëz… (faqe 117) Emri i përgjithshëm njerëz është shkruar me shkronjë të madhe Njerëz, ndërsa sqaron se emrat e përgjithshëm shkruhen me shkronjë të vogël.
Në faqen 122 fjala vjetore – çdo vjetë ,sqarohet me togfjalëshin çdo vjetë , duhet çdo vjet pa –ë në fund të fjalës.
Në faqen 123 në fjalinë: -Xhaxha-e thërret vogëlushi rrobaqepësinë dhe pyet:…. fjala rrobaqepësinë është shkruar me –ë në fund dhe fjalës i jep kuptim tjetër. Kjo fjalë në rasën kallëzore shkruhet rrobaqepësin, pa –ë në fund të fjalës e jo me –ë.
Në faqen 123 në fjalinë : Veni pikësimin e duhur në fjalitë e mëposhtme. , folja në mënyrën urdhërore të kohës së tashme të vetës së dytë shumës është përdorur gabimisht, duhet të përdoret vini.
Në faqen 124 në fjalinë : -Filmi është fryt i punës kolektive ku marrin pjesë një grup i madh njerëzish,aktorësh,punëtorë teknik,ekipi realizues i filmit, etj. kemi lëshim drejtshkrimor te fjala teknik. Kjo fjalë në fund duhet të shkruhet me –ë, sepse e përcakton emrin punëtorë në numrin shumës, pra punëtorë teknikë.
Sqarimi në faqen 125 i foljes (je ) molisë – i zverdhur është gabim. Je molisë duhet të shkruhet je molisur dhe do të thotë je dobësuar, je ligështuar, je lodhur…… (FGJSSH).
Në fjalinë: Çka do ti dhuroni nënës, mësueses? (faqe 127) trajta e shkurtër e përemrit vetor shkruhet t’i e jo ti,sepse merr kuptim tjetër, bëhet përemër vetor i vetës së dytë njëjës.
Në fjalinë ……s’do të mund ta zësh kurr më në jetë. (faqe 129), ndajfolja kurrë është shkruar pa –ë në fund.
Në fjalitë e mëposhtme është përdorur pikëpyetja 1. Plaku Balë i tregon nipit ? 2.Pal Golemi, qëndrimi dhe amaneti i tij ? 3.Nik Peta, qëndrimi dhe amaneti i tij ? (faqe 134) Pse përdoret pikëpyetja në këto fjali pa nevojë. Këtu kemi nëntituj për ta shkruar shkurtimisht përmbajtjen e tekstit sipas planit.
Në fjalinë në vijim folja vë në urdhërore është përdorur gabimisht në vend të vini veni. Veni presjet në këto fjali: (faqe 135)
Në faqen 137 në fjalitë – Kush ia shkruajti letrat ? Cilën letër e shkroi vetë ? , folja shkruaj në të kryerën e thjesjhtë në të parën është përdorur në formë ta gabuar shkruajti, ndërsa duhet shkroi.
Në faqen 142 fjala shqiptar shkruhet shqipëtar, përdoret ë-ja. Pra emri shqipëtar sipas drejtshkrimit shkruhet shqiptar, pa –ë ndërmjet q-së dhe p-së.
Në shembullin në vijim- Strugë, më 2 dhjetorë 1992 etj. fjala dhjetor shkruhet me –ë, duhet të shkruhet pa –ë.
Në faqen 142 kemi detyrën : Fjalitë shkruaj shkurtimisht
Republika e Maqedonisë
Organizata e Kombeve të Bashkuara
Ditëlindjen tënde – Vallë janë këto fjali, ndërsa këtë njohuri gjuhësore e sqaron kështu: Emrat e shteteve, të organizatave të ndryshme, emrat e partive të ndryshme politike shkruhen me shkronja të mëdha dhe ndërmjet shkronjave nuk veni pikë. P.sh.: RM, SHBA, USHT, NATO, OKB, PTT , UNICEF etj. (Në vend të foljes veni duhet shkruar vini, ashtu siç u sqarua në një rast më lart.)
Në shpjegimin – Metafora sajohet kur një fjalë përdoret me kuptimin e një fjale tjetër dhe krahasohet me të, pa përdorimin e lidhëzes “s”). (faqe 145) , duhet të qëndrojë lidhëza si.

Kujtoj që teksti ka pasur nevojë për një redaktim serioz gjuhësor. Përgjegjësinë më të madhe lidhur me këto lëshime gjuhësore që janë të patolerueshme kryesisht e mbajnë recensentët dhe organi që ia ka propozuar ministrit të arsimit për t’i dhënë leje përdorimi këtij teksti. Lëshime të këtilla gjuhësore, veçanërisht në librat e gjuhës shqipe, janë të patolerueshme.