Qeveria shqiptare ka çelur proçedurat në lidhje me garën për kandidatët për pozicionin e gjyqtarit në Strasburg, pas refuzimit që i është bërë kandidaturave të propozuara nga Asamblea Parlamentare e KiE-së.

Referuar një dokumenti që i është dërguar Shkollës së Magjistraturës, Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, përcakton kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u bërë pjesëmarrës në garë.

Aplikimet do të pranohen deri më datë 20 mars, ndërsa 3 kandidatët që do të përzgjidhen do t’i dërgohen Asamblesë Parlamentare të KiE, e cila mund të përzgjedhë njërin prej tyre, ose t’i refuzojë ato, ashtu sikundër ka ndodhur tre herë rradhazi gjatë dy viteve të fundit me emrat që ka paraqitur Shqipëria.

Në garë mund të marrin pjesë kandidatët që kanë një përvojë pune prej 15 vjetësh si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesor ose lektor i së drejtës, nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut. Përparësi do të kenë kandidatët me përvojë praktike në sistemin e drejtësisë.

Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike, gjatë dhjetë viteve të fundit përpara kandidimit.

Kandidatët nuk duhet të kenë qenë bashkëpunëtorë i ish-sigurimit të shtetit, para 2 korrikut 1991, si dhe të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informator ose agjent i Shërbimeve të Inteligjencës.

Në thirrjen për aplikim janë listuar të gjithë dokumentet që duhet të dorëzojë secili kandidat, ndërmjet të tjerave edhe ajo që duhet t’i nënshtrohet procesit të Vetingut.

“Duke marrë në konsideratë rëndësinë e integritetit profesional e moral, si dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptare në trupat ndërkombëtar gjyqësore, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, aplikantët për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në Strasbhurg, do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar”, thuhet ndër të tjera në dokument.