Qytetarët tani më e kanë të qartë se cilët do të jenë kandidatët për kryetarë komunash. Listat e kandidatëve për kryetarë, ku gara është më e fortë në mes partive parlamentare, tregon se disa parti kanë rikandiduar më kryetarët aktual, kurse të tjerët kanë nxjerrë liderët, ministrat e deputetët për të marrë fronin në vetëqeverisjen lokale.

BDI do të rikandidojë me kryetarët aktual, në Tetovë Teuta Arifi, në Gostivar Nevzad Bejta, në Dibër Ruzhdi Lata, në Kërçovë Fatmir Dehari, kurse në Strugë me ish krye bashkiakun Ramiz Merkon.

VMRO DPMNE në zgjedhjet lokale garon me 30 kryetarët aktual të komunave, duke filluar me Koce Trajanovskin për Qytetin e Shkupit, deri në Gjevgjeli me Ivan Frangovin.

“Këta kandidat dhe të gjithë të tjerët të promovuar më parë, janë garanci e sigurte që komunat do të vazhdojnë të zhvillohen në drejtimin e duhur. Do të vazhdojnë investimet në infrastrukturë, në arsim, në sektorin komunal, dhe në të gjitha sferat tjera të jetës në vetëqeverisjen lokale”, u shpreh Hristijan Mickovski, Sekretar gjeneral, VMRO-DPMNE.

Njohësit e skenës politike thonë se kandidatët e vjetër në zgjedhjet e reja do ta kenë të vështirë të bindin elektoratin për tu rizgjedhur, pasi që nuk kanë përmbushur premtimet e dhëna 4 vjet më parë.

“Unë mendoj se tani është momenti që të dënohen të gjithë ata kandidat, të cilët do të rikandidohen dhe që nuk kanë dhënë llogari. Sepse e kemi vënë re që ata tani kanë hyrë në garën politike, por pa ndonjë koncept të ri dhe pa ndonjë llogaridhënie. Ndërkaq ata që kanë qeverisur deri më tani me pushtetin lokal, nëse nuk kanë dhënë përgjegjësi, atëherë nuk mund të krijojnë një bindje se do të jenë të gatshëm të zbatojnë edhe programin e ri që e proklamojnë në këto zgjedhje”, tha Xhenis Sulimani, Politolog.

Andrej Zhernovski është tërhequr nga kandidatura e pavarur për të rimarrë Komunën Qendër. Ky e zbret në 24 numrin e kandidatëve të pavarur për kryetar komunash. Nga Aleanca për Shqiptarët, në momentin e fundit kandidaturën e ka tërhequr Nasuf Sinani për garën në Komunën e Bërvenicës për hir të siç thonë, mos-përçarjes së votës shqiptare. Për të njëjtën arsye edhe PDSH nuk ka nxjerrë kandidat, Lëvizja Besa do të kandidojë me Selatin Jusufin, kurse BDI do të përkrahë kandidatin e pavarur, kryetarin aktual të Bërvenicës, Enver Pajazitin.

“Gjithashtu  më lejoni të theksoj se në Komunën e Manastirit, Ohrit dhe Gazi Babës, BDI poashtu ka përfillur kërkesën e strukturave lokale dhe në konsultim me to është vendosur që në ato komuna për zgjedhjet lokale të merret pjesë me lista të përbashkëta me partitë shqiptare për këshilltar komunal”, tha Arbër Ademi, Zëdhënësi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së.

Zgjedhjet lokale të gjashtat me radhë do të organizohen më 15 tetor në 80 Komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Komisionet Komunale zgjedhore në afat prej 48 orësh duhet të vërtetojnë listat e kandidatëve sipas Kodit zgjedhor. KSHZ më 18 shtator do të hedhë shortin për radhitjen e kandidatëve sipas numrave. Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator dhe do të zgjasë 20 ditë. Rrethi i dytë i zgjedhjeve të kandidatëve, të cilët do të shkojnë në balotazh për kryetar komunash do të mbahet më 29 tetor.