Ligjet për pagën minimale, për punëtorët e falimentuar dhe për taksën e radiodifuzionit assesi të gjenden në agjendën e Kuvendit, edhe pse janë ndër pikat e para të rendit të ditës. Deputetët e VMRO-DPMNE-së me taktikën e tyre tipike – me shumë fjalime dhe replika, fokusin e vendosën në ligjin për studimet e mjekësisë dhe trajnimin profesional të mjekëve. Ata e kritikuan gjendjen katastrofale në shëndetësi, duke kërkuar përgjegjësi nga ministri aktual, Arben Taravari.

“Gjatë 100 ditëve të fundit kishim mundësinë për tu bindur për gjendjen dhe papërgjegjshmërinë në sferën e shëndetësisë. Studentë të respektuar të mjekësisë, gjatë 100 ditëve të fundit kishit mundësi të shihni se si nuk duhet të silleni kur të bëheni mjekë ose specialistë të përgjegjshëm”, u shpreh Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Seanca disa herë u ndërpre për shkak të pauzave të cilat i kërkonin deputetët. Ndërkohë, deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski kërkoi nga opozita ti përkrahë ligjet.

“LSDM dhe shumica parlamentare vazhdojnë me krijimin e politikave të përgjegjshme  dhe me masat nxitëse të cilët do të mundësojnë shoqëri ekonomike, stabile dhe të qëndrueshme. Republika e Maqedonisë, më në fund ka Qeveri të re dhe shumicë parlamentare që punojnë në mënyrë të ndershme dhe të përgjegjshme, në interes të qytetarëve”, tha Jovan Mitreski, Deputet i LSDM-së.

Me ligjin për pagën minimale, të punësuarit në të gjitha sferat e ekonomisë do të marrin pagë minimale me vlerë prej 12.000 mijë denarëve. Me propozim ligjin për punëtorët e falimentuar, materialisht do të sigurohen 3.500 persona të cilëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të falimentimit, likuidimit apo tepricës teknologjike në periudhën prej vitit 1995 deri më 30 qershor të vitit 2017. Ndërkaq, me ndryshimet e ligjit për shërbimet audio dhe audio vizuale, do të shfuqizohet taksa e radiodifuzionit për të gjithë qytetarët.

https://youtu.be/uu3mZjcagpw