Komuna e Tetovës për partitë politike shqiptare në Maqedoni është një bastion që patjetër duhet të fitohet.

Disa nga partitë që do garojnë për zgjedhje në këtë komunë kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre duke filluar edhe përgatitjet për bindjen e elektoratit.

PDSH do të garojë me Bardhyl Dautin, deputet i deritanishëm në Kuvendin e Maqedonisë. Ai sot ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit.

”Aleanca për shqiptarët” mbrëmë ka zyrtarizuar Adnan Nezirin, ish-kryetar i degës së kësaj partie për Tetovë.

Lëvizja Besa do të garojë me Bilall Kasamin, aktualisht kryetar i partisë. Kasami duhet të zyrtarizohet nga organet e partisë por edhe vetë ai tha se nuk ju ik sfidave.

BDI-ja sipas gjitha gjasave do të garojë me Teuta Arifin, kryetare aktuale e komunës dhe nënkryetare e partisë. Edhe BDI pritet të zyrtarizojë kandidaturën e Arifit por edhe ajo më herët kishte thënë se ekziston vullneti për të kandiduar sërish.

Ende nuk dihen kandidatët e RDK-së, Uniteti-t dhe PPD-së. Në këtë rast, nuk përjashtohet mundësia që të gjithë këto të shkojnë me një kandidat të përbashkët.